Lidhje

Konferencë ndërkombëtare për Sidën në Kanada


Mijëra shkencëtarë, aktivistë dhe zyrtarë qeveritarë nga mbarë bota janë mbledhur në Toronto të Kanadasë për të marrë pjesë në konferencën e 16-të Ndërkombëtare për Sidën që hapet të dielën.

25 vjet më parë sëmundja që më vonë do të njihej me emrin Sida u identifikua fillimisht tek një numër homoseksualësh në Los Angelos të Kalifornisë. Qysh atëherë miliona vetë kanë vdekur. Miliona njerëz sot po trajtohen dhe miliona të tjerë infektohen çdo vit. Doktor Anthony Fauci i Institutit Kombëtar Amerikan për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive foli kohët e fundit në studiot e Zërit të Amerikës.

“25 vjet pas shfaqjes së sëmundjes kemi më shumë se 65 milion raste me virusin HIV dhe Sida, 25 milion nga të cilët kanë vdekur. Sot ka 28 presje 3 milion njerëz që jetojnë me virusin HIV. Sipas raportit të fundt të Kombeve të Bashkuara kemi rreth 2 presje 8 milion apo gati 3 milion vdekje në vit dhe rreth 4 presje 1 milion të infektuar, kështu që epidemia nuk është aspak nën kontroll. Në se shohim përhapjen e sëmundjes, gati 90 përqind është në botën në zhvillim dhe 2 të treta janë në Afrikën nën-sahariane.

Në konferencën Ndërkombëtare për Sidën në Toronto do të marrin pjesë më shumë se 20 mijë njerëz. Por doktor Fauci thotë se nuk ka asnjë zbulim të ri në horizont.

“Do të dëgjojmë për rrugët që po ndiqen për të prodhuar një vaksinë. Do të dëgjojmë rreth studimeve dhe marrëdhënieve midis virusit Hiv, malaries dhe tuberkolozit”.

Sot ka rreth 25 ilaçe për të trajtuar virusin Hiv dhe Sidën. Por shumica e pacientëve nuk kanë mundësi t’i marrin këto medikamente. Janë kryer disa studime për vaksinën por rezultatet praktike janë me vite larg.

“Të gjithë studiuesit kanë në fakt një pengesë shkencore. Ne nuk dimë çfarë është imuniteti mbrojtës apo si ta nxisim atë, kështu që kemi shumë për të bërë nga pikëpamja shkencore”.

Statistikat globale tregojnë se gratë sot përbëjnë gjysmën e rasteve të infeksioneve të reja me HIV. Gratë me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara ka më shumë të ngjarë të jenë me virusin HIV sesa ato të racave të tjera.

“Në rastet e reja tek gratë që janë të infektuara në Shtetet e Bashkuara, 65 përqind janë afrikano-amerikane”.

Parandalimi është tani përqëndrimi kryesor në luftën kundër HIV-it dhe Sidas. Doktor Fauci thekson faktin se gratë në disa kultura nuk kanë forcën të mbrohen nga infeksioni duke thënë JO për seks, apo duke kërkuar përdorimin e prezervativëve. Prezervativët për femrat kanë patur sukses të moderuar që kur u krijuan një dekadë më parë. Përmirësimet e fundit të tyre si dhe mbojtës të tjerë janë një pjesë integruese në përpjekjet globale për parandalimin e sëmundjes.

XS
SM
MD
LG