Lidhje

Bush: Trupat në Irak bëjnë që amerikanët të jenë më të sigurt


Presidenti Bush thotë se forcat amerikane në Irak po bëjnë që amerikanët të jenë më të sigurtë. Ndërkohë, demokratët e opozitës thanë se ka ardhur koha për fillimin e kthimit të trupave amerikane në atdhe.

Presidenti Bush tha se Lindja e Mesme ndodhet në një moment të rëndësishëm, ndërkohë që popujt në atë rajon zgjedhin midis demokracisë dhe ekstremizmit. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti tha se Amerika do ta mposhtë terrorizmin duke forcuar demokracitë e reja në Liban dhe në Irak. “Rruga përpara do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë sakrifica dhe vendosmëri. Por sigurimi i Amerikës varet nga përparimi i lirisë në këtë rajon të botës dhe ne mund të jemi të bindur për rezultatin sepse ne e njohim fuqinë e pandalshme të lirisë.” Presidenti thotë se është i vendosur t’i mbajë trupat amerikane në Irak, sepse siç shprehet ai, është mirë që terroristët të luftohen jashtë se sa brënda Amerikës.

Në përgjigjen e Partisë Demokrate, kandidati për anëtar të Kongresit amerikan nga shteti Pensillvenia, Joe Sestak bëri thirrje për një drejtim të ri të sigurimit të Amerikës, duke theksuar se ka ardhur koha që të fillojë tërheqja e trupave amerikane nga Iraku për t’u përgatitur më mirë për sfidat e sigurimit në mbarë botën. “Ne po krijojmë një kulturë vartësie në Irak. Udhëheqësit irakiane duhet të mbajnë përgjegjësi për vendin e tyre. Ata duhet të bëjnë kompromiset e vështira politike që do të ndalnin luftën civile dhe do të krijonin stabilitet. Ne nuk mund ta bëjmë këtë për udhëheqësit irakianë. Përfundimi i misionit tonë në Irak do ta bëjë gjithashtu Amerikën më të sigurtë gjetkë në botë.” Zoti Sestak, ish admiral i marinës amerikane, thotë se përfundimi i pranisë ushtarake në Irak do të bënte që të ketë më shumë burime në dispozicion për të përforcuar sigurinë kombëtare. Ai tha se shpenzimet për dy ditë në Irak do të mbulonin shpenzimet për kontrollin e të gjitha ngarkesave në aeroplanët e pasagjerëve.

Shpenzimet për ditë në Irak, shtoi ai, do të ishin të mjaftueshme për të financuar kontrollin e të gjitha ngarkersave që hyjnë në portet amerikane. Presidenti Bush thotë se administrata e tij po e mbron Amerikën duke punuar pa pushim për të parandaluar sulme të terroristëve, që, siç u shpreh presidenti, vazhdojnë të jenë të vendosur të shkatërrojnë jetë njerzish të pafajshëm në shkallë të gjerë.

XS
SM
MD
LG