Lidhje

Nëntë të plagosur nga shpërthimi në Mitrovicën veriore


Nëntë persona u plagosën të shtunën nga një shpërthim në një kafene në pjesën veriore të Mitrovicës, duke rritur ndjeshëm tensionet në këtë qytet të ndarë midis shumicës shqiptare në jug dhe shumicës serbe në veri. Qeveria e Kosovës e dënoi ashpër incidentin dhe kërkoi nxjerrjen e fajtorëve përpara drejtësisë. Drejtuesi i Listës serbe për Kosovën, nga Mitrovica veriore, Oliver Ivanoviç, kërkoi që të mbyllet ura kryesore mbi lumin Ibër që lidh dy pjesët e qytetit.

Qeveria e Kosovës dënoi mbrëmë fuqishëm incidentin në pjesën veriore të Mitrovicës ku një numër personash u plagosën si pasojë e hedhjes së një paisjeje shpërthyese në një kafene. Kafeneja Dolce Vita gjendet pranë urës mbi lumin Ibër që ndan dy pjesët e qytetit të Mitrovicës, pjesës veriore të banuar me shumicë serbe dhe pjesës jugore të banuar me shumicë shqiptare.

Qeveria tha mbrëmë vonë se sipas të dhënave të deritashme janë plagosur nëntë persona. Qeveria kërkoi me ngulm nga organet e rendit dhe sigurisë që të ndriçojnë rastin dhe të nxjerrin fajtorët para drejtësisë.

Qeveria e Kosovës tha se sot më shumë se kurrë është i nevojshëm bashkëpunimi i qytetarëve me organet e rendit për identifikimin dhe kapjen e fajtorëve.

Ndërkohë, udhëheqësi i Listës serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, nga Mitrovica veriore, i tha mbrëmë vonë Zërit të Amerikës, se serbët në veri e prisnin këtë.

“ Shumë njerëz e prisnin një gjë të tillë dhe ishin të frikësuar nga kjo”, tha zoti Ivanovic, duke akuzuar paqeruajtësit e NATO-s se nuk kishin reaguar.

“Dukej se KFOR-i dhe Shërbimi Policor i Kosovës nuk do të reagonin nëse dëshmitarët nuk do t’i kishin paralajmëruar se dikush po largohej nga vendi i ngjarjes”, tha ai.

Zoti Ivanoviç tha se gjendja në veri është e tensionuar por shkallëzimi ose jo i gjendjes varet sipas tij nga policia ndërkombëtare.

“Kjo varet shumë nga policia ndërkombëtare. Nëse ata janë në kontroll të gjendjes - dëgjova se ai djali ishte arrestuar dhe është tani në stacionin verior të policisë - nëse ai do të procedohet në mënyrën e duhur, mendoj se do ta qetësonte gjendjen, por për momentin, preferoj që të mbyllej ajo urë”.

Zoti Ivanoviç iu referua një personi të arrestuar lidhur me incidentin.

Ndërkohë, qeveria e Kosovës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve që vijnë nga ata të cilët në Kosovë duan dhunë dhe vuajtje për të gjithë, siç u shpreh ajo përmes një deklarate të bërë mbrëmë vonë në Prishtinë.//ii

XS
SM
MD
LG