Lidhje

Banka e Shqipërisë e shqetësuar për inflacionin në rritje


Banka e Shqipërisë shprehu shqetësim të mërkurën për rritjen e inflacionit gjatë muajit korrik për shkak të shtrenjtimit të ushqimeve.

Në raportin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që sapo u publikua, thuhet se inflacioni vjetor në muajin korrik ishte afro dy herë më i lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, i shfaqur kryesisht në rritjen e çmimeve të mallrave ushqimorë.

Norma vjetore e inflacionit në muajin korrik 2006 shënoi vlerën 3.2 për qind, që është norma më e lartë e këtij viti. Ekspertët e Bankës Qendrore vlerojnë në raportin që miratuan në mbledhjen e sotme se presioni inflacionist po shtohet, por megjithatë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind.

Raporti i Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë u miratua së bashku me Deklaratën për Stabilitetin e Sistemit Financiar në Shqipëri në gjashtë-mujorin e parë të vitit 2006. Në raport theksohet se faktorët më të rëndësishëm që kanë ndikuar mbi inflacionin janë rritja e çmimit të energjisë elektrike, zhvlerësimi i mallrave bujqësore, dhe importimi i inflacionit të vendeve të tjera së bashku me importimin e mallrave nga ato vende, ndërkohë që edhe kursi i këmbimit të valutave nuk ka qenë favorizues për arësye sezonale.

Banka Qendrore shpreson se stimulimi që po merr ekonomia nga rritja e kreditimit pritet të japë ndikimin e vet pozitiv në pjesën e mbetur të këtij viti. Banka e Shqipërisë deklaroi se do të bëjë të gjitha përpjekjet për të ruajtur inflacionin dhe do të marrë masat për frenuar faktorët që sjellin presionin mbi inflacionin, duke ndjekur nga afër dhe me imtësi tendencat e zhvillimeve inflacioniste në ekonominë shqiptare.

Në muajin korrik, Banka e Shqipërisë ndryshoi kahun e politikës monetare të orientuar drejt kontrollit të presioneve inflacioniste, me tendencë rritëse në periudhën afatmesme. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se inflacioni mbetet objektivi madhor i Bankës së Shqipërisë dhe se do të ndërmerren të gjitha lëvizjet e duhura që garantojnë zbutjen e presioneve inflacioniste në ekonomi.

XS
SM
MD
LG