Lidhje

Shefi i UNMIK-ut raporton në Këshillin e Sigurimit për gjendjen në Kosovë


Shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker tha në Këshillin e Sigurimit se populli i Kosovës po bëhet gjithnjë e më nervoz rreth statusit të vet të ardhshëm. Ai tha se një vendim duhet të merret shpejt në se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë apo do të bëhet e pavarur.

“Për të mirën e së ardhmes së popullit të Kosovës, periudhës së tanishme të pasigurisë duhet t’i jepet fund sa më parë që të jetë e mundur.”

Zoti Ryker, i cili filloi nga detyra e tij para disa ditësh, i tha Këshillit të Sigurimit se duhet pritur që të ketë tensione në muajt e ardhshëm midis shumicës shqiptare të Kosovës dhe pakicës serbe. Por ai tha se shtyrja e zgjidhjes së statusit final të Kosovës nuk i shërben asnjë gjëje pozitive.

“Vonesat nuk do të sjellin pajtim dhe nuk do të çojnë në një rimëkëmbje ekonomike. Vonesat nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të thellojnë tensionet në shoqërinë kosovare, gjë që do ta bëjë edhe më të vështirë fillimin e ri."

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe ata amerikanë kanë thënë se duan që të merret një vendim deri në fund të vitit në se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë apo do të fitojë pavarësinë.

Zëvëndës-ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Xheki Sendërs, i bëri thirrje të dyja palëve që të gjejnë një kompromis, i cili do të përmbushte aspiratat e popullatës shumë etnike të Kosovës.

“Të dyja palët duhet të jenë realiste rreth rezultatit të procesit të statusit. Kosova duhet të vazhdojë të jetë shumë etnike dhe zgjidhja e statusit duhet të pranohet nga populli i Kosovës. Gjithashtu nuk do të ketë kthim në Kosovën e para vitit 1999, nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe as bashkim të saj me një vend tjetër, apo pjesë të një vendi tjetër.”

Por Presidentja e Qendrës Bashkërenduese të Kosovës në qeverinë e Serbisë hodhi poshtë thirrjet për një zgjidhje të shpejtë të statusit. Sanda Raskoviç-Iviç, paralajmëroi se një zgjidhje afatgjatë është e mundur vetëm në se hiqet dorë nga vendosja e afateve artificiale.

Duke folur para Këshillit të Sigurimit, zonja Raskoviç-Iviç e bëri të qartë se Beogradi është i vendosur të mos e humbasë Kosovën. Ajo shtoi se shumica shqiptare e Kosovës duhet të bindet që të pranojë një autonomi të gjerë brënda Serbisë.

“Hapat e nevojshme politike duhen marrë për ta bindur palën shqiptare që të heqë dorë nga kërkesat ekstreme dhe ekskluzive dhe të përqafojë një zgjidhje të arsyeshme dhe kompromisi, me pak fjalë një autonomi të gjerë me kompetenca gjithpërfshirëse.”

Në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, por ai nuk mori pjesë në debat. Megjithatë, ambasadori i Shqipërisë në OKB, Adrian Neritani, bëri thirrje për një zgjidhje realiste.

“Ne theksojmë bindjen tonë të fortë se zgjidhja më realiste, pragmatike dhe e drejtë e këtij statusi është pavarësia.”

Bisedimet mbi statusin e ardhshëm të Kosovës filluan në muajin shkurt, por është arritur pak përparim.

Këtë javë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, lëshoi një raport në të cilin shprehte zhgënjim rreth asaj që ai e quajti ‘mungesë e përpjekjeve të përbashkëta’ që është vënë re gjatë negociatave.

Administratorët e Kombeve të Bashkuara dhe një forcë paqëruajtëse ndërkombëtare u dërguan në Kosovë në vitin 1999. Një diplomat i lartë amerikan, që vizitoi Kosovën dje, u citua të ketë thënë se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të ketë një prani civile e ushtarake në Kosovë edhe pasi të zgjidhet statusi i saj.

XS
SM
MD
LG