Lidhje

Gjyshërit që rrisin gjeneratën e ardhshme


Këtë muaj gjyshërit amerikanë u nderuan me një ditë të veçantë. Byroja amerikane e Regjistrimit të Popullësisë thotë se gati dy milion e gjysëm gjyshër japin kujdesin kryesor për nipërit dhe mbesat e tyre. Për këta fëmijë ata nuk janë gjyshër por nënë dhe baba.

James Moeller është një shtatë vjeçar tipik. Ai do të shkojë me biçikletë me njeriun që e ka ndihmuar atë të rritet që sa lindi. “Unë nuk kam baba. I thërras gjyshit baba”, thote djali.

Vajza e Bob Moeller-it lindi James-in kur ishte vetëm 16 vjeç. “Shpresonin që Amanda do të kthehej e do të kujdesej për të, por kjo nuk ka ndodhur për shtatë vjet.” Bob Moeller dhe gruaja e tij Marie janë kujdesur për James sikur të ishte fëmija i tyre. Ata thonë se vajza e braktisi fëmijën që kur ishte foshnje. “Ajo dukej se po lidhej me të në fillim. Por pas katër muajsh papritur ajo iku dhe nuk e pamë më”, thonë gjyshërit.

Byroja amerikane e Regjistrimit të Popullsisë thotë se më shumë se 6 milion e 500 mijë fëmijë si James rriten nga gjyshërit e tyre ose të afërm dhe jo nga prindërit. “Gjyshërit dhe të afërmit që rrisin fëmijë vazhdojnë të jenë burimi i sigurisë për familjet dhe fëmijët në këtë vend.” Donna Butts është drejtoreshë ekzekutiv për organizatën jofitimprurëse Generations United. “Në vende si Afrika për shembull për shkak të Sidës, gjyshërit janë ata që kujdesen për fëmijët dhe rrisin brezin e ardhshëm.” Zonja Butts thotë se në Shtetet e Bashkuara ka shumë arsye që gjyshërit janë kujdestarët kryesorë. “Mund të gjesh shumë mangësi por asryeja numër një është përdorimi i drogës.”

Teria Drayton është dakort se përdorimi i drogës është shpesh arsyeja që prindërit nuk kujdesen dot për fëmijët e tyre. Ajo drejton një diskutim dy herë në muaj me gjyshërit në Washington. “Do të doja të shihja që prindërit të kërkonin atë që u takon, kohë për t’u qetësuar dhe për të bërë gjëra si brezi i tyre, si shkuarja me pushime apo edhe thjesht të jenë rehat në shtëpitë e tyre.”

Jessie Coleman është pjesmarrëse në këto takime. Ajo thotë se nuk kishte në plan të vazhdonte të rriste fëmijë, aq më tepër bebe tani në moshën 55 vjeçare. Por ajo nuk flet shumë për jetën që do të kishte sikur të mos kishte këto përgjegjësi. “Familja është për mua çdo gjë. Të gjithë gjyshërit i shohin nipërit e tyre pa përkrahje dhe i ndihmojnë edhe kur nuk duan. Ata kanë nevojë për dashuri. Nuk ishin ata që kërkuan të vijnë në këtë botë.” Bob Moeller është dakort. Ai shton se rritja e James nuk ka qënë gjithmonë punë e vështirë. “Ka momentet e saj. Është kënaqësi të luash me një fëmijë përsëri, por në të njëjtë kohë ka shumë përgjegjësi”, thotë Bob. Një përgjegjësi kjo që e marrin përsipër gjithnjë e më shumë gjyshër.

XS
SM
MD
LG