Lidhje

Kryetarja e Komitetit serb të Helsinkit komenton për pavarësinë e Kosovës


Kryetarja e Komitetit serb të Helsinkit, Sonja Biserko, thotë se Kosova do të fitojë një formë të pavarësisë e cila do të jetë e kushtëzuar me sjelljen e pushtetit të Kosovës ndaj pakicave dhe veçanërisht serbëve. Zonja Biserko u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të qëndrojnë në Kosovë, të presin vendimin për statusin dhe pastaj të marrin vendimin e tyre të pavarur nëse do të qëndrojnë ose jo.

Kryetarja e Komitetit serb të Helsinkit, Sonja Biserko, u bëri thirrje sot serbëve të Kosovës që të qëndrojnë në Kosovë. Zonja Biserko theksoi se cështja e Kosovës nuk është vetëm cështje shqiptaro-serbe, por edhe cështje ndërkombëtare. Ajo tha gjithashtu se nga ajo që shihet deri tani, Kosova do të fitojë një formë të pavarësisë e cila do të jetë e kushtëzuar me sjelljen e pushtetit të Kosovës ndaj pakicave dhe vecanërisht serbëve. “Pjesa më e madhe e qytetarëve të Serbisë janë të ndërgjegjshëm se Kosova është de facto e pavarur që është realitet që prej disa vitesh, por kjo është edhe një cështje emocionale kur bëhet fjalë për publikun në Serbi”. Zonja Biserko, tha se kjo është çështje me të cilën është manipuluar në të kaluarën dhe po manipulohet edhe tani nga elita politike serbe, për zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen në kohën kur do të zgjidhet edhe statusi i Kosovës.

Zonja Biserko thotë se kjo mund të shfrytëzohet për ta sjellë komunitetin ndërkombëtar në një situatë të faktit të kryer, kur veriu i Kosovës do të vihej nën kontrollin e Beogradit. Zonja Biserko theksoi se serbët e Kosovës kanë një përspektivë më të mirë në Kosovë sepse do të kenë garancitë edhe të komunitetit ndërkombëtar edhe të institucioneve vendase dhe me shpresë, sic shprehet ajo, edhe të Beogradit. Zonja Biserko e quan këtë një privilegj të jashtëzakonshëm që mund të kenë serbët e Kosovës. “Ajo që është tani me rëndësi është që të kihet parasysh frika e tyre reale, e nxitur qoftë për shkak të incidenteve si këto të fundit që po ndodhin, qoftë për shkak të trysnisë së Beogradit, apo për shkak të paqartësisë që krijojnë situatat e tilla kur njerëzit vihen para aktit të kryer për të marrë vendime të shpejta”, thotë ajo.

Zonja Biserko thotë gjithashtu se një pjesë të madhe të përgjegjësisë kanë institucionet dhe shoqëria e Kosovës për të përcjellë bindjen dhe garancitë se integrimi i tyre në shoqërinë e Kosovës është i sigurtë. “Të gjithë ata që vijnë këtu, nuk kanë pasur probleme, që të flasin serbisht dhe flasim serbisht, dhe ajo që është e pazakontë është se të gjithë shqiptarët, përfshi edhe të rinjtë, që dinë shumë pak serbisht, përpiqen të flasin me ne serbisht. Deri tani ne nuk kemi pasur asnjëherë probleme”.

Kryetarja e Komitetit Serb të Helsinkit, tha se vazhdon të punojë në një numër projektesh në Kosovë që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis dy komuniteteve. "Në këtë moment jemi në Kosovë me idenë për të vendosur një formë të formë të komunikimit me komunitetin serb bashkë me njerëz që vijnë nga Beogradi, kryesisht ata që kanë punuar me ne në projekte edhe më parë, kryesisht për të sjellë mesazhin që ata duhet megjithatë të mbeten në Kosovë, të presin vendimin për statusin politik, dhe pas një kohe të marrin vendimin e tyre të pavarur a do të shkojnë apo jo sepse në mediat e Beogradit manipulohet me numrat e njerëzve që do të largoheshin nga Kosova nëse ajo bëhet e pavarur. Në këtë moment jemi të shqetësuar për fatin e serbëve, vecanërisht të atyre në enklava, që janë nën trysninë e Beogradit që të mos marrin pjesë në institucionet e Kosovës, janë penguar që të marrin pjesë në votime. Në këtë moment mund të merret vendimi për t’I tërhequr nga Kosova sic ka ndodhur me serbët e Kroacisë dhe një pjesë të serbëve nga federate në Bosnjë pas marrëveshjes së Dejtonit. Ne mendojmë se kjo do të ishte humbje për jetën dhe të ardhmen e tyre, sepse që nga ai moment kur do të kalonin në Serbi nuk do të ishin më object interesi i pushtetit tonë sic ka ndodhur me refugjatët e tjerë më parë”.

Kryetarja e komitetit serb të Helsinkit Sonja Biserko, thotë se ka hapësirë për integrimin e serbëve në shoqërinë e Kosovës nëse punohet me bindje, besim se këta dy popuj mund të jetojnë së bashku në paqe. //rd//

XS
SM
MD
LG