Lidhje

Çelësi i suksesit të lobit izraelit në Shtetet e Bashkuara


Lobizmi është një pjesë e rëndësishme e procesit politik në Shtetet e Bashkuara. Në Uashington veprojnë mijëra grupe të tilla interesi. Gjatë viteve, lobi pro-izraelit ka fituar gjithnjë e më shumë fuqi në çështje që lidhen me Lindjen e Mesme. Por vitet e fundit, edhe ndikimi i lobit arabo-amerikan është rritur ndjeshëm:

Mbështetja e patundur e Amerikës për Izraelin shpesh ka qenë burim acarimesh në Lindjen e Mesme. Shumë arabo-amerikanë mendojnë se kjo u pa qartë gjatë konfliktit të fundit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. Ky ndikim tek politikanët është pjesërisht efekti i lobit të fortë pro-izraelit që vepron në Shtetet e Bashkuara, siç shpjegon Eugene Bird pranë Këshillit për Interesin Kombëtar, një grup lobist pro-palestinez në Uashington: "Shtetet e Bashkuara janë fuqia më e madhe hebraike. Këtu jetojnë 5 presje 5 milion hebrenj, pra më shumë se në çdo vend tjetër të botës. Ata janë pjesë e rëndësishme e komunitetit tonë."

Shumë grupe lobiste pro-izraelite nuk pranuan kërkesën e Zërit të Amerikës për intervistë. Megjithatë, ekspertë të lobizmit thonë se lobi pro-izraelit është ndër më të efektshmit me ndikimin që ka në politikën amerikane.

Massie Ritsch punon për Qendrën për Politika të Përgjegjshme, një organizatë e pavarur që mbikqyr kontributet për fushata: "Paraja ndikon tek politika dhe kontributet për fushatat apo lobizmi kanë ndikim tek qeveria amerikane. Lobi pro-izraelit është ndoshta më i fuqishmi ndër lëvizjet që përfaqësojnë interesa të huaja. Ky lob jep afro një të katërtën e parave që shpenzohen për lobizmin tek autoritetet federale."

Nga ana tjetër, Nihad Awad i Këshillit për Marrëdhënie Amerikano-Islamike, thotë se lobi pro-arab është ende në fillimet e tij: "Lobi pro-arab apo islamik në Shtetet e Bashkuara është një fenomen i ri. Kjo organizatë e re ka një përvojë 12-vjeçare, krahasuar me përvojën 60 apo 90 vjeçare që kanë organizatat hebraike në punën për të ndikuar tek administrata dhe Kongresi në mbështetje të Izraelit. Por ne nuk e shohim nga kjo pikëpamje. Ne e konsiderojmë veten si një organizatë për të drejtat civile e interesuar për zhvillimet e brendshme."

Massie Ritsch thotë se paraja nënkupton ndikim: "Grupet pro-izraelite shpenzojnë mbi 1 milion dollarë në vit për lobizëm në Kongres si dhe në degë të tjera të qeverisë. Grupet pro-arabe shpenzuan në vitin 2005 vetëm një të tretën e kësaj shume. Kjo nuk është një luftë simetrike, nëse do ta shikonim si një konkurencë mes të dyja palëve."

Qendra për Politika të Përgjegjshme vë në dukje se pjesa më e madhe e shumave që dhurohen nga grupet pro-izraelite i shkojnë senatores demokrate Hillary Rodam Klinton. Vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve, kjo senatore nga Nju Jorku mori 83 mijë dollarë të dhuruara nga lobi izraelit për fushatë.

Për lobin pro-arab, shifrat janë shumë më modeste. Shuma më e madhe i shkoi senatorit republikan Lincoln Chafee nga Rhode Island, i cili mori 3 mijë dollarë nga grupet që përfaqësojnë interesat arabe. //ad//

XS
SM
MD
LG