Lidhje

Uashingtoni reagon ashpër ndaj pohimit të Penjanit se do të bëjë një provë bërthamore


Shtetet e Bashkuara kanë besuar prej kohësh se Koreja e Veriut ka të paktën disa bomba bërthamore, por Sekretarja Rice tha se, nëse Pheniani e demonstron këtë kapacitet, atëherë do të ndryshonte rrënjësisht gjendja tashmë e vështirë diplomatike me shtetin e izoluar komunist.

Sekretarja Rice foli për këtë çështje në një takim me gazetarë në Kairo pas takimit me zyrtarë egjiptianë. Ajo theksoi se kapaciteti bërthamor i Koresë së Veriut nuk është problem vetëm ndërmjet Phenianit dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe me komunitetin ndërkombëtar dhe tha se një provë bërthamore do të dëmtonte marrëdhëniet tashmë të tendosura të Koresë së Veriut me fqinjet e saj.

“Një provë bërthamore e Koresë së Veriut do ta ndryshonte shumë gjendjen në Gadishullin Korean. Një numër vendesh në rajon do të kishin nevojë të vlerësonin përsëri marrëdhëniet me Korenë e Veriut. Sigurisht, Shteteve të Bashkuara u duhet të shqyrtojnë alternativat. Por vetëm dua të theksoj se do të ishte akt tepër provokues i Koresë së Veriut”.

Më parë, zëdhënësi i departamentit të shtetit, Sean McCorkamck, tha se një provë e tillë do të ishte një kërcënim i papranueshëm ndaj paqes dhe qendrueshmërisë në Azi e më gjerë dhe se një akt i tillë, që ai e përshkroi si të papërgjegjshëm, do të marrë përgjigjen e duhur nga Shtetet e Bashkuara.

Ai tha gjithashtu se prova do të dëmtonte rëndë besimin amerikan tek angazhimet e Koresë së Veriut ndaj bisedimeve gjashtëpalëshe të organizuara nga Kina, ku Phenianit i janë ofruar garanci në fushën e sigurisë dhe ndihma në këmbim të heqjes dorë nga programi i tij bërthamor.

Në shtator të vitit të kaluar, Koreja e Veriut ra dakord në parim që të pranojë një marrëveshje të tillë, por nuk është kthyer në bisedimet gjashtëpalëshe që nga nëntori dhe thotë se nuk do të kthehet derisa Shtetet e Bashkuara t’u japin fund sanksioneve të vendosura ndaj një banke kineze vitin e kaluar.

Zyrtarë amerikanë thonë se Koreja e Veriut fallsikonte dhe pastronte para përmes një firme në Makao - Banco Delta Asia.

Administrata Bush ngul këmbë që sanksionet nuk kanë lidhje me bisedimet mbi krizën bërthamore, por thonë se megjithatë janë të përgatitura ta diskutojnë këtë çështje me Korenë e Veriut, nëse kjo e fundit kthehet në bisedimeve.

Kërcënimi koreanoverior nxiti konsultime me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit në New York. Ambasadori amerikan në OKB, John Bolton, kërkoi një reagim të menjëhershëm të këshillit, duke thënë se gjendja aktuale vë në provë aftësinë e organizatës botërore që të angazhohet në diplomaci parandaluese.

“Është e rëndësishme që të angazhohemi seriozisht dhe jo thjeshtë të përdorim deklarata për hir të deklaratave. Po të kihet parasysh reagimi i ashpër i Këshillit të Sigurimit në korrik, duke i dënuar provat e raketave ndërkontinentale nga Koreja e Veriut, është e rëndësishme që të jemi të përgatitur të vazhdojmë të njëjtin kurs. Dihet mirë se raketat balistike, po të pajisen me armë bërthamore, do të ishin një kërcënim i madh ndaj paqes dhe sigurisë në botë”.

Në korrik, Këshilli i Sigurimit i dënoi provat e Koresë së Veriut me raketa, përfshirë lëshimin e pasuksesshëm të një rakete ndërkontinentale, dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së të ndalonin çdo lloj tregëtie me Korenë e Veriut që do ta ndihmonte këtë të fundit të mbështeste programin e saj të raketave dhe projektet e armëve jokonvencionale.

Koreja e Veriut ka njoftuar disa herë kohët e fundit se po përgatitet për një provë të nëndheshme bërthamore. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit nuk thonë nëse kërcënimi i Phenianit për të bërë këtë provë është shoqëruar nga ndonjë veprimtari e vëzhgueshme në terren, që tregon se kryerja e provës është afër. //ze

XS
SM
MD
LG