Lidhje

Ban Ki Moon, zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së


Të hënën e kaluar, 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit zgjodhën njëzëri Ban Ki-Moon të Koresë së Jugut si sekretar të përgjithshëm të OKB-së. Kandidatura e tij u miratua më pas nga Asambleja e Përgjithshme me 192 vende anëtare. Zoti Ban ka thënë se do të punojë gjatë pesë vjetëve të mandatit të tij për të reformuar Kombet e Bashkuara.

"Kombet e Bashkuara kanë nevojë për ndryshim për të trajtuar më me efektshmëri dhe efikasitet sfidat me të cilat përballemi tani. Jam i vendosur, në se zgjidhem sekretar i përgjithshëm, të sjell forcë të re dhe ide të reja për ta bërë këtë organizatë botërore më bashkëkohore."

62 vjeçari Ban Ki-Moon është diplomat karriere që ka shërbyer si këshilltar i sigurimit kombëtar për Korenë e Jugut dhe në misionin e saj në OKB. Disa vëzhgues kanë vënë në pikëpyetje nëse ai do të arrijë të bëhet një drejtues i fuqishëm i OKB-së si paraardhësi i tij Kofi Annan. Ish diplomati amerikan David Straub e njeh zotin Ban dhe beson se ai do të provojë se është udhëheqës.

"Ai është njeri shumë elokuent, i disiplinuar dhe i respektuar. Besoj gjithashtu se është njeri me parime të forta. Është shumë i interesuar në çështjet humanitare. Ai ka shërbyer në Indi si diplomat i ri dhe filloi të interesohej për problemet e zhvillimit. Një nga gjërat për të cilën ka folur më shumë gjatë fushatës së tij është situata në Darfur dhe emergjenca të tjera humanitare."

Lee Shin-wha, profesor i politikave në Universitetin e Koresë, thotë se është domethënës fakti se sekretari i ardhshëm i Kombeve të Bashkuara vjen nga gadishulli i ndarë korean.

"Mendoj se kjo është një mundësi e madhe për komunitetin ndërkombëtar të fillojë të mendojë rreth mënyrës për të arritur paqen, jo vetëm në nivele rajonale dhe për vendet e ndara, por edhe në nivel global dhe shpresoj të ketë rezultat."

Miratimi në Këshillin e Sigurimit koincidoi me njoftimin e Koresë së Veriut se kishte kryer provë bërthamore. Duke folur në Seul, Ban Ki-Moon e quajti këtë lëvizje një akt provokues megjithë paralajmërimet e komunitetit ndërkombëtar dhe tha se zgjidhja paqësore e krizës bërthamore të Koresë së Veriut do të jetë një nga përparësitë e tij si shefi i OKBsë. David Starub thotë se zoti Ban ka aftësitë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit, edhe pse Koreja e Veriut nuk është e kënaqur me zgjedhjen e tij.

"Do të jetë ndoshta e vështirë për zotin Ban të takohet me koreano-veriorët kur të jetë Sekretar i Përgjithshëm për shkak të sikletit që padyshim ndjejnë. Nga ana tjetër roli më i rëndësishëm i sekretarit të përgjithshëm në të gjithë këtë do të jetë ndoshta prapa skenave; puna me anëtarët e Këshillit të Sigurimit, takimet me udhëheqës ndërkombëtar. Në këtë sens, mendoj se është shumë e dobishme figura e tij si sekretar i përgjithshëm pasi ka pak njerëz në këtë botë që dinë kaq shumë jo vetëm për sistemin e OKBsë por veçanërisht për problemin e Koresë së Veriut."

Mandati i Ban Ki-Moon si sekretari i përgjithshëm i OKB-së fillon më 1 janar, dhe do të zgjasë për pesë vjet. Disa njoftime thonë se ai do të vazhdojë të mbajë postin e ministrit të jashtëm të Koresë së Jugut deri pak përpara se të marrë detyrën e re. /ze/

XS
SM
MD
LG