Lidhje

Sfidat e Gjykatës Ndërkombëtare Penale


Drejtësia ndërkombëtare ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare, shprehen prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe gjykatave të ngritura për konflikte të veçanta. Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, Karla del Ponte i bëri thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale të marrë përsipër çështjet e ngritura kundër të dyshuarve kryesorë për krime lufte, një mision që do të bëhet i pamundur nëse Kombet e Bashkuara shkurtojnë fondet e gjykatës:

Selia e drejtësisë globale – Gjykata Ndërkombëtare Penale ndodhet në Hagë, dhe përfshin gjykata të posaçme për ish-Jugosllavinë, Sierra Leonen, Republikën Demokratike të Kongos, Ruandën dhe Kamboxhian. Prokurorët mblidhen këtu për të diskutuar probleme të ndryshme.

Kjo gjykatë që nuk njihet nga Shtetet e Bashkuara, po përpiqet të theksojë juridiksionin e saj mbi sovranitetin e shteteve individuale. Një tjetër sfidë janë fondet. Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Karla del Ponte paralajmëron se autorët e mizorive të Ballkanit, përfshirë ish gjeneralin serb të Bosnjes Ratko Mlladiç, mund t’i shpëtojnë drejtësisë nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ofron mbështetje financiare.

Kombet e Bashkuara shpenzojnë mbi 300 milion dollarë në vit për gjykatën dhe duan që proceset të përfundojnë brenda vitit 2008 dhe gjykata e ngritur për ish-Jugosllavinë të mbyllet në 2010. E përballur me këtë presion, kryeprokurorja del Ponte thotë se procesi hetimor mund të mbetet pa fonde të mjaftueshme: Del Ponte “Çfarë duhet të bëjmë? Të kërkojmë donacione vullnetare? T’i transferojmë këto çështje në një vend të tretë, apo në vendin ku u kryen krimet apo ku banon i akuzuari, megjithëse në këto vende sisitemi i drejtësisë shfaq mangësi të shumta për të përballuar këtë mision.” Z

onja Del Ponte pohon se gjyqet duhet të përshpejtohen. Ajo thotë se transferimi i çështjeve në rajonet ku kanë ndodhur krimet mund të mos jetë zgjidhja më e mirë, pasi megjithë avantazhet politike, do të jetë një katastrofë juridike. Charles Taylor, ish-udhëheqësi liberian dhe i dyshuar për krime lufte, u dërgua në Hagë, pasi kishte shqetësime se gjykimi i tij do të ngjallte trazira rajonale. Procesi i tij gjyqësor pritet të fillojë në prill të vitit të ardhshëm. Deri atëherë atij do t’i jetë mbushur një vit në burg.

Kryeprokurori në detyrë për Gjykatën Ndërkombëtare Penale Christopher Staker thekson se çështja penale kundër Charles Taylor është një ndër një numër çështjesh. Ai thotë se fakti që gjyqet për krime lufte në Sierra Leone po zhvillohen në Freetown, të mbështetura me kontribute vullnetare, e ka bërë procesin më të përqëndruar dhe ka shmangur keqinterpretimet lokale. Christopher Staker “Nuk do të ndjekim dikë penalisht pasi ka qenë ushtar në një konflikt të armatosur. Por shpjegojmë se çfarë është e ndaluar në bazë të ligjit ndërkombëtar, në kushtet e një konflikti. Është e ndaluar që një ushtar të sulmojë individë të cilët nuk janë pjesëmarrës në konflikt, apo civilë, është e ndaluar që ushtari të plaçkisë, shkatërrojë apo torturojë të tjerë, ose të gjymtojë ndokë. Kur e shpjegon në këtë mënyrë bëhet e kuptueshme."

Gjykata Ndërkombëtare Penale synon të gjykojë krimet më të rënda, por mbështetet shumë tek bashkëpunimi i vendeve që kanë lidhje me procesin. Serbia, për shembull, nuk ka treguar vullnetin e duhur për kapje e të akuzuarve kryesorë, gjë që është bërë burim nervozizmi për kryeprokuroren del Ponte: “T’ju them të vërtetën, nuk shoh ndonjë shenjë pajtimi. As në Bosnje, as në Kroaci. Është e vërtetë që tani jetojnë disi në paqe dhe së bashku, por janë gati të fillojnë të luftojnë prapë.”

Pak iluzione u mbeten prokurorëve ndërkombëtarë, të cilët theksojnë se pajtimi pas-konfliktit nuk është synimi i tyre, por një rezultat i mirëpritur i vendosjes së drejtësisë. Për këtë arsye, thonë prokurorët, proceset duhet të përshpejtohen e të jepen vendimet dhe për arritjen e kësaj ata kërkojnë mbështetje dhe fonde.

XS
SM
MD
LG