Lidhje

Debate mbi perçet me të cilat gratë myslimane mbulojnë fytyrën


Në Britani, kritikat e politikanëve për niqabin, siç quhet perçja me të cilën gratë myslimane mbulojnë fytyrën, kanë shkaktuar debate të ashpra. Por Britania nuk është i vetmi vend në Evropë ku diskutohet mbulimi i fytyrës.

Kur 29-vjeçarja Nora Labrak u praqit në një kompani private për punë në qytetin e Lionit korrikun e kaluar, pyetja e parë që iu bë, nuk kishte lidhje me cv-në. Roja tek dera e pyeti nëse mund ta hiqte shaminë nga koka. Labrak nuk pranoi dhe asaj iu kërkua të largohej.

Të gjata apo të shkurtëra, në ngjyrë të errët a të çelët, perçet tek gratë myslimane po ngjallin skepticizëm në rritje, për të mos thënë armiqësi të hapët. Ato ndalohen në shkollat publike në Francë e Belgjikë dhe varianti më konservator, niqabi, është nxjerrë jashtë ligjit në disa qytete evropiane.

Madje edhe në shoqërinë shumëkulturëshe britanike, niqabi ka shkaktuar kohët e fundit kritika nga udhëheqës të Partisë Laburiste, përfshirë kryeministrin Tony Blair, i cili e quajti atë shenjë ndarjeje. Disa udhëheqës myslimanë akuzuan qeverinë britanike se po ushqente frikë ndaj islamit.

Edhe një seri çështjesh të tjera janë bërë shkak preokupimi lidhur me popullatën myslimane të Evropës.

Franck Fregosi, ekspert për islamin në Qendrën franceze për Studime Shkencore, thotë se në Evropë skepticizmi rreth Islamit po shtohet.

“Disa evropianë kanë frikë nga Islami ndërsa politikanë nga vende që më parë e toleronin shumëllojshmërinë e kulturave dhe të feve, si Britania dhe Holanda, po bëhen më pak të hapura”.

Një anketë e zhvilluar në korrik nga Qendra Studimore Pew në Washington, zbulon se shumica e myslimanëve të Evropës Perëndimore nuk ndjejnë armiqësi nga jo-myslimanët, por një pjesë e mirë, përfshirë 39 për qind në Fancë, 42 për qind në Britani dhe 52 për qind në Gjermani përgjigjen ndryshe.

Vetëm pak gra në Francë e mbulojnë fytyrën dhe disa prej tyre, si 41-vjeçarja Nicole Thill, thonë se po ngjallin gjithnjë e më shumë reagime skeptike në rrugë.

Thill e konvertuar në besimin mysliman në 2001-shin, tani drejton një shoqatë grash në Bruskel. Ajo thotë se deri tani nuk ka patur ndonjë problem që ia vlen të përmendet për shkak të mbulimit të fytyrës në publik. Por njerëzit shohin drejt saj me më shumë armiqësi se më parë dhe respektohet më pak prej të tjerëve.

Politikanë evropianë që kritikojnë mbulimin e fytyrës, përmendin rëndësinë e integrimit të popullatave imigrante myslimane. Ky ishte mesazhi i ligjit fancez i miratuar para dy vjetësh që ndalonte shamitë e kokës dhe simbole të tjera fetare në shkollat publike.

Dhe kjo ishte një nga arësyet se përse Jan Creemers, kryetari i bashkisë së një qyteti të vogël belg, ndaloi sivjet mbajtjen e niqabit. Ai tha se veçanërisht të moshuarit frikësohen kur shohin njëherësh disa gra myslimane me niqab.

“Unë thashë se sot për sot nuk është e mundur mbajtja e niqabit, pasi në shoqërinë dhe qytetin tonë, në kulturën perëndimore është e rëndësishme që njerëzit t’ia shohin fytyrën njeri-tjetrit”.

Creemers thotë se popullata myslimane e qytetit, kryesisht nga Maroku, e mbështeti gjerësisht rregulloren e tij. Kështu kanë vepruar edhe disa qytete të tjera belge. Në Itali, në bazë të ligjeve kundër terrorizmit është e ndaluar fshehja e tipareve identifikuese. Në Gjermani, disa lande ua kanë ndaluar mësueseve në shkolla të përdorin shamitë e kokës.

Në disa raste, këto ligje kanë gjetur përkrahjen e myslimanëve si Khadije Khali në Paris.

Zonja Khali është kryetare e një shoqate grash myslimane në Francë dhe, megjithëse është praktikuese e rregullt e riteve fetare, nuk e mbulon fytyrën. Ajo thotë se një gjë e tillë nuk kërkohet nga Kurani dhe se mbulimi i fytyrës është zakon i popullatave të Lindjes së Mesme dhe jo evropiane. Unë, thotë ajo, jam franceze dhe e dua vendin tim. Jam kundër dasive.

Por myslimane të tjera janë kundër ligjeve që ndalojnë mbulimin e fytyrës. Noura Jaballah në Francë thotë se këto ligje po e veçojnë edhe më tej Evropën nga komuniteti mysliman.

“Shpresoj që një ditë besimi islam dhe praktikimi i tij të mos vihen më në diskutim, thotë ajo, pasi ne jemi pjesë e kësaj shoqërie, si të krishterët dhe hebrenjtë e Evropës”. //ze//

XS
SM
MD
LG