Lidhje

Mitrovica – qyeti i ndarë nga lumi Ibër, përçarja etnike dhe mungesa e thellë e besimit

  • Beri Ud

Për një përfaqësues ndërkombëtar, i cili ka një vit që po kërkon, por pa sukses, një rrugë të mesme për shqiptarët dhe serbët, përcaktimi i statusit të Kosovës pritet të jetë moment i rëndësishëm për të ardhmen e pakicave dhe organizimin shtetëror. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Barry Wood vizitoi qytetin verior të Mitrovicës, ku banojnë shumë prej 120 mijë serbëve të mbetur, të cilët përbëjnë një pakicë të vogël të popullsisë së Kosovës.

Kosova tani është e qetë, por paqeruajtësit e NATO-s janë në gatishmëri për të mos lejuar përsëritjen e protestave anti-serbe si ato të marstit të vitit 2004. Statusi i Kosovës mund të vendoset së shpejti. Shqiptarët kërkojnë pavarësinë, ndërsa serbët e kundërshtojnë.

Mungesa e besimit dhe ndarja etnike nuk është askund më e thellë se në Mitrovicë, dikur një qendër e lulëzuar minierash, tani e ndarë nga lumi Ibër mes serbëve në veri dhe shqiptarëve në jug.

Jeta Xharra është gazetare dhe producente, pjesë e një ekipi që realizoi filmin “Kosova: A ka dikush një plan?” “Më e keqja, thotë ajo, është se veriu do të jetë i zemëruar pavarësisht nga zgjidhja. Nëse Kosova shpallet e pavarur, veriu mund të vetëdeklarohet i pavarur. Dhe kjo është më e keqja që mund të ndodhë.”

Rreth gjysma e serbëve të Kosovës dhe vetëm pak shqiptarë jetojnë në veriun e Mitrovicës në një rrip të gjerë territori që të çon drejt kufirit me Serbinë. Kombet e Bashkuara e hedhin poshtë mundësinë e çdo ndarjeje, pavarësisht se kjo ide ekziston në mendjen e popullatës. Xheri Galluçi, administratori i OKB-së për Mitrovicën thotë se nuk do të ketë ndarje. “Nuk mendoj se ka perspektivë për këtë. Nuk mendoj se ka njerëz që e duan këtë. Nuk mendoj se udhëheqja serbe e do një gjë të tillë. Dhe e di se udhëheqja shqiptare nuk e do këtë.”

Galluçi e pranon se pajtimi etnik do të marrë kohë. Por ai shpreson që serbët dhe shqiptarët do të bashkëpunojnë në çështje praktike, si, për shembull, shërbimet komunale. Ai mbështet decentralizimin e pushtetit lokal si mjet për krijimin e besimit. “Decentralizimi është thjeshtë pushtet lokal në zonat ku njerëzit duan të kontrollojnë jetën e tyre, qofshin ato serbë, apo shqiptarë. Fatkeqësisht, mendoj se kjo nuk po u shpjegohet njerëzve këtu në Kosovë.”

Galluçi ankohet se, ngaqë publiku nuk është informuar mirë mbi këtë çështje, shumë njerëz dyshojnë se decentralizimi është si emër i koduar për ndarjen. Producentja Xharra e përkrah decentralizimin dhe thotë se serbëve u duhet një qendër urbane si Mitrovica në mënyrë që të ndjehen të sigurt. “Sigurisht që është e trishtueshme që serbët nuk mund të vijnë në të gjithat qendrat urbane si dikur, por fatkeqësisht realiteti është i tillë që pjesa veriore e Kosovës do të vazhdojë të mbetet një qendër urbane e banuar gjerësisht prej serbëve.”

Tani për tani, Mitrovica dhe ura e saj mbi lumin Ibër mbeten simbol i ndarjes dhe pasigurisë. Serbët në veri, shqiptarët në jug dhe policia e OKB-së që ruan paqen. //az//

XS
SM
MD
LG