Lidhje

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve shpall fituesit e çmimeve për Lirinë e Shtypit në Botë

  • Sean Maroney

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve me bazë në Nju Jork i shpalli fituesit e Çmimeve për Lirinë e Shtypit në Botë për vitin 2006 dje. Fituesit e këtij çmimi janë kolumbiani Jesus Abad Colorado, jemenasi Jamal Amer, Mahdi Sisei nga Gambia dhe gazetarja e vrarë irakiane Atvar Bahxhat.

Drejtori ekzekutiv i komisionit, Joel Simon, thotë se ky vit ka treguar një vazhdimësi të tendencës së dhunës ndaj gazetarëve.

“Po vërehet një fenomen i përhapur ku gazetarët për disa arsye komplekse po e humbin statusin e tyre të vëshguesve të paanshëm.”

Komisioni për mbrojtjen e gazetarëve njofton se deri tani këtë vit të paktën 46 gazetarë kanë vdekur ose në krye të detyrës ose të vënë në shenjestër për t’u vrarë. Më shumë se gjysma e këtyre vrasjeve kanë ndodhur në Lindjen e Mesme, prej të cilave 26 kanë qenë në Irak.

Jamal Amer është redaktor i një gazete të përjavshme të pavarur në Jemen. Ai u rrëmbye për një kohë të shkurtër vitin e kaluar sepse kishte publikuar raporte mbi korrupsionin në qeveri. Ai thotë se mediat e huaja duhet të përqendrohen jo vetëm tek terrorizmi por edhe tek shumë çështje të tjera.

“Nëse shtypi këtu do të merrej me çështjen e lirisë së shtypit e të tjera, kjo do të ishte më mirë për ne, dhe do të ishte më mirë edhe për situatën e terrorrizmit.”

Jesus Abad Colorado është fotoreporteri i parë që merr Çmimin e Lirisë së Shtypit. Guerrilet e krahut të majtë e kanë rrëmbyer atë dy herë për fotografitë e tij që tregojnë abuzimet e të drejtave të njeriut gjatë Luftës Civile në Kolumbi. Ai thotë se të gjithë fituesit e çmimeve këtë vit kanë pasur një veprimtari nga e cila përfitojnë popujt e të gjithë botës.

“Puna ime është në shërbim të të gjithë shoqërisë. Puna e një gazetari kolumbian apo gazetari afrikan, një njeriu nga Lindja e Mesme apo një gruaje që vdiq në Irak, është pjesë e solidaritetit, dhe një përpjekje që ky solidaritet të vazhdojë.”

Gazetarët do t’i marrin çmimet e tyre të martën e ardhshme gjatë një ceremonie që do të zhvillohet në qytetin e Nju Jorkut. Kjo ceremoni do të shënojë edhe 25-vjetorin e Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve. //ze//

XS
SM
MD
LG