Lidhje

Papa Benedikti shkon në Turqi më 28 nëntor

  • Xhefri Jang

Kur udhëheqësi i më shumë se 1 miliardë katolikëve viziton një vend tjetër, ngjarja ka në përgjithësi karakter fetar tek besimtarët në atë vend. Këto vizita karakterizohen nga shërbesa të mëdha fetare dhe udhëtime në vende të shenjta.

Por vizita e ardhëshme e Papa Benediktit në Turqi, nuk është brenda karakterit tradicional. Turqia ka një pakicë të vogël të krishterësh dhe akoma më pak katolikë. Ky udhëtim bëhet në një kohë kur janë rritur tensionet midis 1,3 miliardë besimtarëve myslimanë dhe besimtarëve të krishterë.

Plani për udhëtimin papal filloi në mënyrë të zakonshme. Fadi Hakura, nga Instituti Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare në Londër, thotë se Patriarku ortodoks Bartolemeu i Stambollit, bëri një ftesë si pjesë e dialogut të kohëve të fundit që ka për qëllim të zvogëlojë mosmarrëveshjet e vjetra midis Romës dhe Stambollit.

“Patriarku ortodoks në Turqi kishte marrdhënie shumë pozitive me Papa Gjon Palin e Dytë. Në këtë mënyrë patriarku donte të zhvillonte një bisedë personale me Papën e ri, për të vazhduar traditën e marrdhënieve të mira dypalëshe që kishte me Papa Gjon Palin e Dytë.”

Qeveria turke ftoi gjithashtu Papa Benediktin, i cili u përgjigj duke thënë se ndalesa e tij e parë do të ishte në kryeqytetin e vendit, Ankara. Shumë vëzhgues thonë se ky vendim tregon rëndësinë politike dhe fetare të vizitës së Papës.

Por në muajin shtator, pasi ishte planifikuar udhëtimi, Papa zemëroi shumë myslimanë në botë gjatë një fjalimi në një universitet të Gjermanisë, ku citoi thënien e një perandori bizantin të shekullit të 14-të, i cili ofendonte profetin Muhamed. Kjo bëri që shumë zyrtarë turq, përfshirë kryeministrin Rexhep Taip Erdogan, të dënonin publikisht fjalët e Papës. Por Ankaraja nuk u përul ndaj thirrjeve për të anuluar vizitën e Papës.

Graham Fuller, autor i librit “E Ardhmja Politike e Islamit” thotë se Turqia fitoi një pozitë të lartë duke mos anuluar ftesën e Papës.

“Këtu tregohet nivel i lartë politik, duke ngritur vetë pozitën e Papës. Fjalët e tij nga pikëpamja diplomatike, por edhe nga pikëpamja intelektuale, ishin pa vend, për një njeri që flet në emër të kishës katolike. Ankaraja po i jep atij një shans të dytë për të dhënë edhe një herë mendimin mbi këtë problem.”

Por Bulent Alireza, ekspert mbi Turqinë pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, thotë se riafirmimi i ftesës ishte për shkak të dëshirës për të mos larguar vëmendjen nga objektiva më të mëdha.

Vizita e Papës në Turqi paraprin takimin e Bashkimit Evropian të muajit dhjetor, ku ka mundësi të diskutohet kërkesa e Turqisë për anëtarësim. Xhon Voll, profesor i studimeve islamike në Universitetin e Xhorxhtaunit, thotë se Ankaraja mund ta shfrytëzojë këtë vizitë për të ndryshuar qëndrimin dhe mendimet që kanë disa udhëheqës dhe ligjvënës të Bashkimit Evropian.

Shpresat e Ankarasë për të përmirësuar imazhin në radhët e vendeve anëtare të BE-së, sipas Xhorxh Demakopulos, profesor në universitetin Fordam, në Nju Jork, mund të varen gjithashtu edhe nga reagimi ndaj një problemi fetar që Papa pritet të diskutojë gjatë vizitës në Turqi.

“Nëpërmjet vizitës së tij personale në Turqi, Papa kërkon të tërheqë vëmendjen mbi situatën e komunitetit ortodoks në Turqi. Mënyra e vetme që turqit mund të pranohen në Bashkimin Evropian do të jetë, nëse garantojnë liritë fetare për pakicën e krishterë, për të cilën ka vepruar me ngurim në të kaluarën.”

Zoti Demakopulos thotë se nëse Papa ngre problemin e lirisë së fesë me qeverinë turke, e vendos Ankaranë në një pozitë të vështirë.

A mundet që Papa Benedikti të përmirësojë marrdhëniet e tensionuara me të krishterët ortodoksë dhe myslimanët? Ata që vëzhgojnë Vatikanin thonë se prania fizike e Papës në një vend të rëndësishëm për të dyja besimet, tregon qartë për një mundësi dialogu ndërfetar. Shumë vëzhgues thonë se për shkak të vëmendjes së madhe që do të tërheqë vizita e Papës në Turqi, çdo fjalë apo gjest i tij mund të ketë rëndësi në të ardhmen. //ze//

XS
SM
MD
LG