Lidhje

Rriten shqetësimet për statusin e Kosovës


Marrja e një vendimi mbi statusin përfundimtar të Kosovës po bëhet më e vështirë për shkak të qendrimit të Rusisë dhe të mungesës së konsensusit midis 25 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Vendimi i Bashkimit Evropian mbi të ardhmen e Kosovës, ka mbetur në harresë që nga përfundimi i fushatës së bombardimeve të NATO-s, në vitin 1999. E shoqëruar edhe me mungesën e mbështetjes nga Rusia, duket se një zgjidhje e shpejtë për rajonin do të jetë edhe më e vështirë të arrihet, sipas ekspertit të Kosovës, Daniel Sërvër.

“Unë nuk shikoj mundësinë e një zgjidhjeje paqësore nëpërmjet negociatave, por shtyrjen dhe pasigurinë, të cilat mund të shkaktojnë probleme në Kosovë, u shpreh zoti Sërvër.”

Megjithëse vazhdon të jetë zyrtarisht e lidhur me Serbinë, Kosova ka qenë e administruar nga OKB-ja që nga mbarimi i luftimeve. Shqiptarët, që përbëjnë më shumë se 90 përqind të popullatës kërkojnë pavarësinë, por Serbia refuzon ta pranojë.

Një negociator i Kombeve të Bashkuara është takuar për muaj me radhë me përfaqësues nga Prishtina dhe Beogradi, duke u munduar të përgatitë një plan për të ardhmen e Kosovës, nëse ajo do të marrë statusin e një shteti të pavarur sovran, apo do të mbetet pjesë e Serbisë. Afati prej 1 viti në dhënien e një rekomandimi u shty deri më 21 janar, për të mënjanuar influencën që kjo çështje mund të kishte në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që do të mbahen në atë datë.

Zoti Sërvër pohon për Zërin e Amerikës se do të jetë e vështirë të arrihet mbështetja e Rusisë për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, e cila ka shumë mundësi të jetë në rekomandimin e negociatorit të OKB-së. Moska, aleatja tradicionale e Serbisë, ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk mund të imponohet një zgjidhje kundër vullnetit të Serbisë.

Ministri i jashtëm bullgar, Ivailo Kalfin, thotë se Kosova është e rëndësishme në qëndrueshmërinë e të gjithë rajonit. Një zgjidhje paqësore dhe e pranueshme nga bashkësia ndërkombëtare, thotë ai, do të ndihmojë Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjën dhe Malin e Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kalfin thotë se është qenësore që Kosova të ruajë karakterin shumë-etnik.

“Është shumë e rëndësishme që serbët në Kosovë të qëndrojnë atje dhe të përfshihen në jetën e vendit. Pa dyshim që ata duhet të jenë të sigurt. Atyre duhet t’u sigurohet puna në mënyrë që të përballojnë jetesën. Ata duhet të angazhohen më shumë në jetën politike pa patur rëndësi se çfarë ndodh në Kosovë”.

Bullgaria dhe Rumania do të hyjnë në Bashkimin Evropian më 1 janar duke u bërë respektivisht anëtarët e 26-të dhe 27-të të bllokut.

XS
SM
MD
LG