Lidhje

Jeta e ish-Presidentit Xherald Ford dhe trashegimia e tij


Ish-presidenti amerikan Gerald Ford, i cili pati një rol të rëndësishëm për shërimin e plagëve politike që kishte pësuar vendi pas dorëheqjes së Presidentit Nixon me Skandalin e Watergated, vdiq në Rancho Mirage, të Kalifornisë, në moshën 93-vjeçare.

Presidenti i 38-të i Shteteve të Bashkuara, rridhte nga një familje e thjeshtë. Ai lindi në Leslie King të Nebraskës në vitin 1913 dhe mori emrin e njerkut të tij, pasi prindërit e tij u divorcuan kur ai ishte ende i vogël.

Ai u vendos me të ëmën në Grand Rapids të Miçiganit dhe u bë yll i futbollit në Universitetin e Miçiganit, në mesin e viteve 1930.

Pasi kreu shërbimin ushtarak në marinën amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gerald Ford kreu studimet për drejtësi në Universitetin Jale dhe në vitin 1948, ai fitoi në zgjedhjet për në Kongresin amerikan.

Zoti Ford u bë udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 1965, ku fitoi reputacion si një ligjvënës konservator për problemet e buxhetit, por i moderuar për problemet sociale dhe ato të politikës së jashtme.

Ishte pikërisht popullariteti që ai gëzonte mes republikanëve dhe demokratëve që e bëri Presidentin Richard Nixon ta zgjidhte Fordin nënpresident, pas dorëheqjes së nënpresidentit Spiro Agnew në vitin 1973.

“Gerald Ford ndoshta nuk ishte kadidatura më e preferuar e zotit Nixon, por natyrisht që ai ishte kadidati më i përshtatshëm që mund të konfirmohej me lehtësi nga Kongresi. Dhe kjo ishte arsyeja përse ai u bë presidenti i vetëm që nuk ishte zgjedhur as si President dhe as si nënpresident”, thotë analisti politik, Stephan Hess i Institutit Brookings.

Por Zoti Ford qëndroi në postin e nënpresidentit vetëm për 10 muaj. Në gushtin e vitit 1974, Richard Nixon u bë Presidenti i parë amerikan që jepte dorëheqjen, pasi publiku amerikan u bind se ai ishte përfshirë në Skandalin e Watergejtit.

"Për këtë arsye, unë sot jap dorëheqjen nga posti i Presidentit, dhe ky vendim hyn në fuqi qysh nesër në mesditë. Në atë orë, pikerisht në këtë zyrë, nënpresidenti Ford do të bëjë betimin si President”, u shpreh në atë kohë presidenti Nixon.

Në fjalimin e tij të parë drejtuar popullit amerikan, Gerald Ford menjëherë e bëri të njohur misionin e tij, shërimin e plagëve politike që kishte pësuar vendi pas Skandalit të Watergejtit.

“Bashkatdhetarët e mi amerikanë, ëndrra e frikshme dhe e gjatë tashmë ka marrë fund. Kushtetuta jonë funksionon. Kjo do të thotë se në Republikën tonë të madhërishme qeverisin ligjet dhe jo individët. Këtu tek ne, vendi drejtohet nga populli”.

Një muaj pasi bëri betimin, Gerald Fordi vendosi ta falë Richard Nixonin, për çfarëdo lloj krimi që mund të kishte bërë lidhur me Skandalin e Watergatid. Falja do të thoshte se ndaj ish-presidentit nuk do të zhvillohej gjyq nën akuza për krime, një vendim që u mirëprit nga besnikët e Richard Nixonit, por që u dënua nga demokratët.

Reagimi i publikut ndaj faljes së Nixonit, ishte jashtëzakonisht negativ. Në fakt, Presidenti Ford kishte ndërmarrë hapin e pazakontë për t’i dalë në mbrojtje vendimit për falje, para një komisioni të Kongresit Amerikan.

Por megjithë debatin lidhur me faljen, Gerald Ford fitoi ndjeshëm në anketimet e vitit 1976, në garën presidenciale me kandidatin demokrat Jimmy Carter.

Por raporti mes dy rivalëve presidencialë ndryshoi, pas debatit të tyre, ku zoti Ford la të kuptohet se Evropa Lindore nuk ishte nën sundimin e ish-Bashkimit Sovjetik.

“Nuk ekziston sundimi sovjetik në Evropën Lindore”.

Zoti Ford i humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 1976 me një diferencë të ngushtë votash. Gjatë presidencës së tij për një kohë të shkurtër, vendi ndeshi me inflacionin në rritje, dhe me çështjen e debatueshme për përfundimin e Luftës së Vietnamit. Mes arritjeve të tij kryesore në politikën e jashtme janë vazhdimi i një politike të detantës me Bashkimin Sovjetik dhe përfundimi i Marrëveshjes së Helsinkit mbi parimet e të Drejtave të Njeriut dhe kufijve kombëtarë të vendeve të Evropës Lindore.

Pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë, Gerald Ford u vendos në Kaliforni, ku vazhdoi të mbante leksione dhe fjalime.

“Trashëgimia e tij e rëndësishëm qëndron në faktin se e lejoi vendin ta kapërcejë një periudhë të vështirë dhe të bëjë përpara me shpejtësi në mënyrë të civilizuar. Ai ishte një burrë i arsyeshëm, i nderuar, kur vendi kishte nevojë pikërisht për një njeri si ai”, thotë zoti Hess.

Në vitin 1999, zoti Ford u nderua në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti i asaj kohe, Bill Clinton, me medaljen Presidenciale të Lirisë, falë përpjekjeve për sherimin e vendit pas skandalit të Uotergejtit. //kk//

XS
SM
MD
LG