Lidhje

UNMIK-u u kërkon negociatorëve të Prishtinës të tregojnë unitet


Misioni i Kombeve të Bashkuara ka kërkuar nga ekipi i negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës, që të ruajnë unitetin dhe të jenë të përgatitur për propozimin e statusit që do të hidhet nga kryenegociatori ndërkombëtarë Martti Ahtisaari, pas zgjedhjeve parlamentare serbe të 21 janarit. Negociuesit e Prishtinës, nuk kanë dashur të paragjykojnë përmbajtjen e propozimit, por thanë se do të punojnë për ruajtjen e unitetit të veprimit në këtë periudhë. Opozita ka kërkuar, ndërkaq, qartësimin e rolit të ekipit të negociuesve ndaj atij të qeverisë.

Zëvendës shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Steven Shook, kërkoi sot nga ekipi i negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës që të jenë të përgatitur për pakon e statusit që do të propozohet nga krye negociatori ndërkombëtarë Martti Ahtisaari. Zyra e këtij të fundit ka paralajmëruar se propozimi do të hidhet menjëherë pas zgjedhjeve parlamentar serbe që do të mbahen më 21 janar. Zoti Shook, tha sot pas një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi se roli i ekipit të negociuesve është thelbësor në këtë periudhë…

“Kam kërkuar nga Hashimi dhe anëtarët e tjerë të Ekipit të Unitetit që të bëjnë plane të mira, që t'i marrin ato, t'i procedojnë dhe që sa më shpejt t'ia kthejnë ato të dërguarit të posaçëm në mënyrë që të sigurohemi se të gjitha këto sisteme dhe procedura janë të vendosura në kohë të duhur. Kjo është shumë e rëndësishme", tha zoti Shook.

Anëtarët e ekipit të negociuesve thanë ndërkaq se janë të përkushtuar për ruajtjen e unitetit politikë. Presidenti I Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se ekipi është I gatshëm për bashkëpunim të plotë me të dërguarin ndërkombëtarë për statusin e Kosovës por hodhi poshtë çdo mundësi për vazhdim të bisedimeve me Beogradin.

“Ne kemi një qëndrim shumë të qartë si ekip i unitetit, jemi në bashkëpunim të thellë gjithmonë me presidentin Ahtisaari dhe Grupin e Kontaktit dhe kemi thënë se i kemi shterë mundësitë tona në kuptimin e asaj që është biseduar në takimet e Vjenës dhe riciklimet i shohim të paarsyeshme në këtë kuptim”, tha presidenti Sejdiu.

Veton Surroi, kryetar i partisë reformiste Ora, tha se nuk duhet paragjykuar propozimi që do të hidhet nga krye negociatori Ahtisaari…

“Ne nuk mund të prejudikojme as çfarë ka brenda e as se si do të vijë arritja e kësaj pakoje, me postier, pa postier, as si do të jetë. Por është e qartë se në momentin e mbërritjes së kësaj pakoje, përgjigja e ekipit të unitetit do të jetë unike, do të jetë e qartë dhe të gjithë do të dini se në atë mënyrë siç e kemi bërë procesin negociator, në atë mënyrë kemi ndërmend t’i japim përgjigjet”, tha zoti Surroi.

Ndërkaq kryetari I Partisë Demokratike, Hashim Thaçi tha se opozita do të marrë mbi vete përgjegjësitë që I takojnë në ruajtjen e unitetit të veprimit.

“Por natyrisht se kërkohet një qartësim edhe konceptual edhe një afatizim kohor i agjendës sonë të përbashkët si ekip i unitetit, ekip politik i Kosovës, në mënyrë që të mos ketë ngatërresa të agjendave të ekipit të unitetit me agjendën e qeverisë. Kështu që kemi propozuar arritjen sa më të shpejtë që është e mundur të një marrëveshjeje politike të spektrit politikë të përfaqësuar në ekipin e unitetit”, tha zoti Thaçi.

Anëtarët e ekipit të negociuesve thanë se po punohet për hartimin e Kushtetutës së re të Kosovës, të simboleve gjithëpërfshirëse si dhe për hartimin e ligjit për zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. //kk//

XS
SM
MD
LG