Lidhje

SHBA, BE angazhohen për një partneritet të fortë ndëratlantik


Presidenti Bush dhe presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Barroso biseduan të hënën në Uashington për një gamë të gjerë çështjesh politike dhe ekonomike. Ata shprehën angazhimin e tyre për një partneritet të fortë ndëratlantik në përballimin e disa prej sfidave më të rëndësishme në botën e sotme.

Presidenti Bush u tha dje gazetarëve se bisedimet me komisionerin evropian Zhoze Manuel Barroso në Shtëpinë e Bardhë përfshinin çështje të karakterit dypalësh dhe global.

"Bisedimet tona ishin të sinqerta dhe të hapura. Biseduam mbi rëndësinë e marrëdhënieve ndëratlantike dhe se si mund t’i përmirësojmë ato. Diskutuam mbi rëndësinë që ka për Evropën dhe për Amerikën zgjidhja e çdo mospajtimi që kemi lidhur me raundin e bisedimeve të Dohës, për të nxitur tregtinë ndërkombëtare."- tha Presidenti.

Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso tha se rifillimi i të ashtuquajturave bisedime të Dohës, të cilat dështuan në muajin korrik, ka rëndësi kritike për zhvillimin global.

"Presidenti Bush dhe unë ishim dakord se ndodhemi përballë momentit të së vërtetës. Na duhet patjetër të arrijmë përparim në bisedimet tregtare të Dohës, të arrijmë një përfundim të suksesshëm. Nëse nuk e bëjmë këtë, do të humbisnim përfitime të mëdha ekonomike. Në asnjë mënyrë nuk duhet të dështojmë, pasi çështja është tepër e rëndësishme."-tha zoti Barroso.

Të dy udhëheqësit biseduan mbi gjendjen në Lindjen e Mesme, Irak, Darfur si dhe për sigurinë e burimeve energjetike dhe ndryshimet globale të klimës. Në përfundim të vizitës njëditëshe në Uashington, zoti Barroso theksoi rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve amerikano-evropiane.

"Sot ne diskutuam mbi një numër sfidash të përbashkëta dhe shumë të rëndësishme. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mund t’i përballojnë ato të vetme. Por pa partneritetin ndëratlantik është e pamundur të kesh sukses në botën e sotme. Prandaj ne besojmë se ka shumë rëndësi që t’i mbajmë këto marrëdhënie të gjalla, t’i kemi sa më të forta dhe ta bëjmë të qartë se ato janë më të rëndësishme se kurrë."-tha zoti Barroso.

Zoti Barroso u takua edhe me udhëheqësit e posazgjedhur të Kongresit, Nensi Pelosi dhe Harri Rid.//lk

XS
SM
MD
LG