Lidhje

Kompensimet e drejtuesve të lartë në korporatat amerikane


Fjala parashutë e artë është një term i përdorur për të përshkruar një kompensim shumë bujar që i jepet një drejtuesi kompanie i cili del në pension ose pushohet për shkak të punës së dobët. Kjo lloj parashute iu dha këtë javë drejtuesit ekzekutiv të një kompanie amerikane materialesh ndërtimi. Paketa e tij e pensionit prej 210 milionë dollarësh është një parashutë mjaft e pazakontë që i garanton atij një ulje mëse të butë në botën e të papunëve.

Robert Nardelli u angazhua në vitin 2000 për të drejtuar, kompaninë miliardere Home Depot që shet materiale ndërtimi. Gjatë qëndrimit në këtë kompani zoti Nardelli grumbulloi një pasuri personale prej 150 milionë dollarësh. Tani që po largohet, ai po merr 210 milionë dollarë, në formë parash, aksionesh dhe përfitimesh të tjera.

Gazetari i Nju Jork Tajmsit, Xho Nosera, thotë se paketa e pensionit është pjesë e kontratës së tij. “6 vjet më parë kompania ishte në vështirësi dhe kërkonte një ndryshim. Ata kërkonin një person të njohur, me energji, në nivelin e një superstari.”

Kompania Home Depot i dyfishoi fitimet gjatë kohës që drejtonte Nardelli, por çmimi i aksioneve ra 7 përqind, ndërkohë që aksioni i kompanisë rivale u rrit 187 përqind. Në mbledhjen vjetore të bordit drejtues të kompanisë shpërtheu zemërimi, tregon gazetari. “Mund të them se kjo ishte një nga mbledhjet vjetore më diktatoriale që kam parë në jetën time. Të gjithëve u ishte kufizuar koha për të folur dhe asnjërit nuk ju dha më shumë se 1 minutë. Zoti Nardelli nuk pranoi t’i përgjigjej asnjë pyetjeje. Në mbledhje nuk ishte i pranishëm asnjëri nga anëtarët e bordit.”

Paketat me pagesa astronomike për ndërprerjen e kontratës, të njohura me emrin parashuta të arta, janë të njohura në botën e korporatave. Vitin e kaluar Hank McKinel, u largua nga një kompani farmaceutike, pasi aksioni i saj ra 41 përqind. Kompensimi i tij ishte 200 milionë dollarë. Stefën Kroford, u kompensua me 32 milionë dollarë, pas vetëm 106 ditësh në postin e njërit prej presidentëve të bankës së invesitmeve Morgan Stenli ndërsa Li Reimond kreu i kompanisë Ekson Mobil, mori një paketë pensioni prej 400 milionë dollarësh.

Lorens Mishel, president i Institutit të Politikës Ekonomike në Uashington, akuzon elitën amerikane të korporatave, se përdor statusin e privilegjuar për të drejtuar atë që ai e cilëson si klepto-ekonomi. “Kreu i një kompanie të madhe fiton aktualisht 260 herë më shumë se një punëtor i thjeshtë. Rreth 20 vjet më parë kjo pagë ishte 35 herë më e madhe ndërsa 40 vjet më parë një drejtues kompanie fitonte vetëm 25 herë më shumë se një punëtor i thjeshtë. Nuk mendoj se duhet t’i paguajmë aq shumë disa njerëz vetëm sepse ngrihen nga krevati në mëngjes për të shkuar në punë.” Kompensimi i drejtuesve vendoset nga bordi drejtues i kompanisë. Ata shpesh e justifikojnë politikën e parashutave të arta si të nevojshme për të konkuruar me kompani të tjera. Por Lorens Mishel thekson se përfitimet e drejtuesve dalin nga të ardhurat e aksionerëve, punëtorëve dhe konsumatorëve. //rd//

XS
SM
MD
LG