Lidhje

Propozimi për statusin e Kosovës i paraqitet të premten Grupit të Kontaktit


I dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosoves Marti Ahtisari tha se propozimi i tij për të ardhmen e Kosovës përqëndrohet në një prani të fortë ndërkombëtare për të garantuar të drejtat e pakicave.

Zoti Ahtisari u takua sot në Strazburg me Këshillin e Evropës dhe theksoi se propozimi i tij i shumëpritur parashikon një Kosovë demokratike ku të drejtat e pakicave të mbrohen dhe respektohen plotësisht. Propozimi tha ai po ashtu parashikon një prani të fortë civile ndërkombetare në Kosovë.

Pritet që propozimi i zotit Ahtisari te parashikoje nje shkalle te larte pavaresie per Kosoven. Ndërkohë, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Barry Wood njofton nga Prishtina se politikanëve të Kosovës u është thënë se mungesa e konsensusit midis fuqive perendimore ka të ngjarë të vonojë një veprim të OKB-së mbi statusin përfundimtar deri nga fundi i vitit.

Propozimi për statusin e Kosovës do të paraqitet të premten në Bruksel dhe në Vjenë. Ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të Grupit të Kontaktit do të takohen në kryeqytetin belg, ndërsa zoti Ahtisari, do të takohet me zyrtarë të tjerë nga të njëjtat vende në Vjenë. Më 2 shkurt, zoti Ahtisari udhëton në Beograd dhe Prishtinë për të informuar udhëheqësit e Serbisë dhe të Kosovës. Mundësia e një shtyrje të mëtejshme vjen për shkak të kundërshtimit rus. Moska ka thënë se nuk do të pranojë një zgjidhje që nuk pranohet nga Beogradi. Me fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit, Rusia ka thënë se nuk do të nxitohet të pranojë një propozim, që do të çonte drejt pavarësisë së Kosovës. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë.

Kombet e Bashkuara e morrën nën administrim Kosovën në vitin 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Natos që dëbuan forcat serbe nga Kosova. Analisti britanik që përfaqëson Grupin Ndërkombëtar të Krizave, në Kosovë, Alex Anderson thotë se Rusia nuk ka ndryshuar qëndrim megjithë thirrjet nga anëtarët perendimorë të Grupit të Kontaktit.

“Në se analizojmë disa çështje ndërkombëtare si ato që kanë të bëjnë me Birmaninë apo Iranin, ekziston një shqetësim se mund të vihet re e njejta prirje nga Rusia dhe Kina për të kundërshtuar masat e propozuara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë. Kosova mund të gjejë veten në një situatë e ngjashme”.

Propozimi i zotit Ahtisari nuk pritet të përmend fjalën pavarësi, por do të parashtrojë një proces që mund të çojë drejt këtij rezultati. Ai dhe anëtarë të tjerë të Grupit të Kontaktit shpresojnë se një vendim i ri i Këshillit të Sigurimit do t’i jepte fund administrimit të Kosovës nga OKB-ja dhe do të transferonte pushtetin tek institucionet vendore dhe Bashkimin Evropian. Paqeruajtësit e udhëhequr nga Natoja do të vazhdojnë të jenë përgjegjës për sigurinë. Zoti Anderson beson se ndërsa një shtyrje e mëtejshme do të ishte e papëlqyer, qeveria e Kosovës nuk ka të ngjarë të përgjigjet duke shpallur në mënyrë të njëanshsme pavarësinë.

“Do të ketë ankesa nga klasa politike për ngadalësinë e procesit, por po ashtu, udhëheqësit e Kosovës janë të vetëdijshëm se nuk mund të ecin shumë larg nga përkrahësit e tyre në komunitetin ndërkombëtar”.

Zoti Ahtisaari ka drejtuar negociatat për statusin e Kosovës për 12 muaj. Pasi u pa se Beogradi dhe Prishtina nuk mund të binin dakort për statusin e ardhshëm, Grupi i Kontaktit e autorizoi zotin Ahtisaari për të hartuar një plan për të ardhmen e Kosovës.

XS
SM
MD
LG