Lidhje

Banorët e Mitrovicës presin me ankth raportin e OKB-së për statusin – Reportazh


Atmosfera në Mitrovicë është tani për tani e qetë. Ura që ka ndarë qytetin në pjesët shqiptare dhe serbe është e hapur dhe ushtarët francezë të forcës paqeruajtëse të NATO-s nuk shihen atje pjesën më të madhe të kohës.

Në zonën jugore të Mitrovicës, të banuar nga shqiptarët, njerëzit kanë frikë se propozimi i Kombeve të Bashkuara mund t’i japë pakicës serbe një autonomi të madhe dhe mundësinë për të ruajtur lidhjet me Beogradin. Në veri, serbët kanë frikë se propozimi do ta çonte Kosovën drejt pavarësisë.

Dragisha Milloviç, kryetari serb i bashkisë së fshatit Zveçan, thotë se në qoftë se Kosova bëhet e pavarur, sërbët që jetojnë në zonat e banuara nga shqiptarët në jug, do të largohen për në veri. “Çdo përpjekje për të prerë lidhjet mes serbëve të Kosovës dhe Metohisë me atdheun tonë Serbinë do të çonte në mënyrë të pashmangshme në lartimin e njerëzve prej andej. Njerëzit do të largoheshin prej andej nëse Kosova do të bëhej e pavarur”.

Më pak se 10 përqind e dy milionë banorëve të Kosovës janë serbë. Gjysma e tyre banojnë në enklava të përhapura në gjithë territorin. Sërboljub Millenkoviç, anëtar i këshillit konsultativ të Mitrovicës Veriore është më optimist. Ai beson se do të ketë bashkëpunim mes serbëve dhe shqiptarëve dhe përjashton mundësinë se qeveria e Beogradit do t’u japë urdhër serbëve që të largohen nga enklavat e jugut. “Në fakt nuk e besoj një gjë të tillë. As mund ta imagjinoj një situatë të tillë”.

Ylber Hysa, anëtar i Parlamentit të Kosovës, si dhe anëtar i grupit negociator për statusin, thotë se largimi i pakicës serbe apo shkëputja e veriut do të ishte një disfatë e madhe për Kosovën. Ai ka shpresë se serbët do të bashkëpunojnë me qeverinë e Prishtinës. “Dhe në qoftë se jo, ne të gjithë do të humbisnim – serbët, ne dhe komuniteti ndërkombëtar që ka investuar kaq shumë gjatë këtye 15 vjetëve për ta transformuar këtë rajon të trazuar të Evropës në një demokraci të vërtetë”.

Diplomati amerikan, Xherard Galluçi, administratori i Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë, thotë se udhëheqësit e teritorit e dinë se propozimi i Kombeve të Bashkuara synon ta çojë Kosovën drejt pavarësisë. Ai thotë se nuk ka të ngjarë që propozimi t’i kënaqë si shqiptarët edhe serbët. “Për mendimin tim, çdo kush që ka patur mundësi të sistemohet jashtë Kosovës, tashmë është larguar. Besoj se ata që kanë mbetur nuk kanë alternativa të tjera të lehta. Çdo kush, qoftë shqiptar apo serb, në këtë pjesë të Kosovës, me siguri që dëshiron të njejtën gjë – paqe, siguri dhe begati”.

Zoti Gallucci u shpreh me optimizëm se në javët e ardhshme, populli do të vendosë të qendrojë dhe t’u japë propozimeve për statusin shansin për të patur sukses. //az//
XS
SM
MD
LG