Lidhje

Propozimi i Marti Ahtisarit për Kosovën, me elementë të një shteti të pavarur


Kryenegociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës Marti Ahtisari i paraqiti sot Grupit të Kontaktit propozimin e tij për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Në propozimin e zotit Ahtisari, që ka mundur të sigurojë Zëri i Amerikës, bëhet e qartë se Kosova nuk duhet të qeveriset më bazuar në rezolutën 1244. Propozimit që paraqiti sot zoti Ahtisari, ende mund t’i bëhen ndryshime të fundit, por, ajo që mund të thuhet pasi lexon dokumentin, është se ai e çon qartazi Kosovën drejt pavarësisë. Mënyra, apo rruga që do të arrihet aty, mbetet ende për t’u parë.

Në rekomandime parashikohet që Kosova të mos qeveriset më nga Kombet e Bashkuara, nga rezoluta 12-44, e cila ruante parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë, një shtet që sot nuk ekziston më.

Procedura e statusit komplikohet më tej nga qëndrimi rus. Moska ka ngritur kundërshtime deri më sot, por qëndrimi përfundimtar i Kremlinit ende nuk dihet. Prandaj ka dalë edhe teza tjetër e zgjidhjes së statusit, sipas të cilës, pavarësia e Kosovës nuk do të njihej me një akt të vetëm në Këshillin e Sigurimit, por nga njohja prej vendeve të veçanta.

Dhe në dokumentin e zotit Ahtisari ka elementë të shumtë, tregues të funksionimit të Kosovës si një shtet i pavarur, siç është e drejta për të negociuar dhe nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare, përfshi të drejtën për të kërkuar anëtarësi në organizata ndërkombëtare.

Propozimi jep kornizat e funksionimit të shtetit të ardhshëm të Kosovës, por në të njëjtën kohë ofron garanci të fuqishme për pakicat. Në propozim parashikohet që në Kosovë të vendoset një mision civil ndërkombëtar me kopetenca te gjera, që do të ketë të drejtën e vetos për vendime të qeverisë dhe të drejtën për të larguar zyrtarë që pengojnë zbatimin e marrëveshjes. Kompetenca të ngjashme me ato të Bosnjes.

Siguria do të garantohet nga prania ushtarake ndërkombëtare. Por Kosova do të ketë një agjensi të shërbimit të sigurisë, agjensi e shërbimit sekret, dhe një forcë të re të sigurisë, profesionale dhe jo-politike, me 2500 ushtarë aktivë dhe 800 rezervistë, të armatosur me armë të lehta.

Sipas dokumentit Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të shpërbëhen dhe forca e re që do të formonte bërthamën e një ushtrie të ardhshme, në se mund të shprehemi kështu, do të jetë një forcë e stërvitur nga Natoja.

Sipas dokumentit, Kushtetuta e re e Kosovës do të duhet të bazohet në nenet e marrëveshjes. Çdo ndryshim kushtetues mund të bëhet vetëm më dy të tretat e votave të deputetëve, përfshi edhe dy të tretat e votave të deputetëve të pakicave.

Qytetarët e ish-Jugosllavisë që kanë qenë banorë të Kosovës më 1 janar 1998 dhe pasardhësit e tyre, do të marrin qytetarinë e Kosovës, pavarësisht nga vendi ku jetojnë aktualisht.

Në territorin e komunës aktuale të Mitrovicës, do të krijohen dy komuna të reja, Mitrovica veriore dhe Mitrovica jugore. Një bord i përbashkët i Veriut dhe Jugut, do të krijohet për të realizuar bashkëpunimin funksional në fushat ku kanë kompetenca. Komunat e tjera me shumicë serbe do të kenë kompetenca në çështjet kulturore dhe fetare dhe të drejta më të mëdha pjesëmarrjeje në zgjedhjen dhe heqjen nga puna të komandantëve të stacioneve të policisë në këto zona.

Dokumenti parashikon krijimin e zonave të mbrojtura të kishave dhe manastireve ortodokse dhe objekteve historike serbe. Kosova nuk do të ketë fe zyrtare dhe do të jetë neutrale përsa i përket besimeve fetare. Serbia do të duhet të kthejë objektet arkeologjike të marra nga muzeumet e Kosovës në periudhën 1998-1999, brenda 3 muajsh nga hyrja në fuqi e marrëveshjes. Kosova do të marrë pjesën e saj të borxhit të jashtëm të Serbisë, kjo pjesë do të përcaktohet në negociata midis Kosovës dhe Serbisë, nëse palët nuk arrijnë ta bëjnë këtë, do të caktohet një arbitër ndërkombëtar për ta përcaktuar.

Sipas dokumentit kufijtë do të bazohen në kufijtë e ish-krahinës autonome, ndërsa cështja e kufirit me Maqedoninë, do të duhet të zgjidhet përmes krijimit të një komisioni të përbashkët teknik midis Kosovës dhe Maqedonisë, për të përcaktuar fizikisht vijën kufitare dhe për të trajtuar cështje që kanë lindur nga marrëveshja e vitit 2001 midis Shkupit dhe Beogradit.

Gjuhët zyrtare do të jenë shqipja dhe serbishtja. Kosova do të ketë simbolet e saj, flamurin, vulën dhe himnin.

Zoti Ahtisari do shkojë më 2 shkurt, brenda të njejtes dite ne Prishtinë dhe Beograd për t’u dorëzuar të dy palëve propozimin e tij. Pritet që më pas të ketë përsëri takim mes Prishtinës dhe Beogradit dhe më tej çështja të kalojë në Këshillin e Sigurimit. //rd//

XS
SM
MD
LG