Lidhje

Bugajski: Paketa e Ahtisarit lë shumë gjëra në dorë të Kosovës për të lëvizur drejt pavarësisë


Për analistin e njohur të çështjeve të Ballkanit, Janush Bugajski, propozimi i zotit Ahtisari, është një hap i rëndësishëm përpara drejt sovranitetit dhe pavarësisë. Ai thotë se paketa e hartuar nga diplomati finlandez lë shumë gjëra në dorë të Kosovës për të lëvizur drejt pavarësisë. Zotin Bugajski mendon se pas planit, Kosova do të kërkojë njohje ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, çfarë i ofron propozimi i zotit Ahtisari Kosovës, në të nuk përmendet fjala pavarësi. A ka qartësi në propozimin e zotit Ahtisari?

Janush Bugajski: Propozimi nuk përmban fjalën pavarësi apo sovranitet por të dyja nënkuptohen në dokument. Është e rëndësishme çfarë lihet jashtë tij dhe çfarë përfshihet. Lihet jashtë sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, lihet jashtë një mision i mëtejshëm i Kombeve të Bashkuara, lihet jashtë ideja e një protektorati të përhershëm, nga OKB-ja dhe BE-ja që është lajm një i mirë për Kosovën. Por edhe ato që përfshihen në propozim janë gjithashtu të rëndësishme. Kosova mund të anëtarësohet në institucione ndërkombëtare, pra në Kombet e Bashkuara. Kosova do të mund të hartojë kushtetutën, të organizojë zgjedhje, shumë të rëndësishme këto kur krijon një shtet si dhe simbolet kombëtare. Mendoj se propozimi është një hap i rëndësishëm përpara drejt sovranitetit dhe pavarësisë.

Zëri i Amerikës: Për propozimin e zotit Ahtisari, Prishtina duket se do ta pranojë atë, ndërsa Serbia tha hapur që nuk është kundër. A shikoni ju mundësinë e kundërshtimit nga pala shqiptare të propozimit?

Janush Bugajski: Përgjithësisht perceptohet se shqiptarët e Kosovës do të jenë pro-propozimit kurse elita politike serbe kundër. Për serbët kundërshtimi është i qartë. Propozimi i lë ata pa Kosovën dhe i jep kësaj të fundit në një farë mënyre status ndërkombëtar. Gjithashtu, është ende sezon zgjedhjesh edhe pse ato u zhvilluan. Me fjalë të tjera gjithkush po shikon të gjej një pozicion për krijimin e qeverisë. Dhe asnjë grup nuk do ta pranonte një plan në të cilin Serbia humbet Kosovën. Nuk shikoj asnjë grup nga pala serbe të bjerë dakort me të. Nga pala shqiptare do të ketë disa zhurma, kritika se plani nuk përfshin aq sa pritej, nuk është shumë i qartë. Por mendoj se pjesa më e madhe e propozimit lë shumë në dorë të Kosovës, për të krijuar institucionet, për të hartuar kushtetutën, simbolet kombëtare, zbatimin e planit për decentralizimin e pakicave, për të lëvizur drejt pavarësisë dhe me peticionin do të thosha për njohje ndërkombëtare pasi mendoj se kjo nuk do të zgjidhet në Kombet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni ju vazhdimin e këtij procesi. Zoti Ahtisari iu ka dhënë palëve edhe një shans të fundit për konsultime. A prisni që pala serbe të marrë pjesë në to?

Janush Bugajski: Nuk ka rëndësi në se shkojnë apo jo pasi ata nuk kanë mundësi ta ndryshojnë më thelbin e këtij plani që është se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë dhe po shkon drejt pavarësisë. Nuk ka asgjë që mund të bëjë Beogradi për ta ndaluar këtë. Ata mund ti bojkotojnë këto konsultime duke thënë – nuk kemi qeveri.

Zëri i Amerikës: A do të sjellë një qëndrim i tillë shtyrjen e procesit?

Janush Bugajski: Nuk mendoj se kjo do ta vonojë procesin. Ka vendosmëri për ta çuar këtë propozim në Kombet e Bashkuara sa më shpejt. E rëndësishme është se ka mirëkuptim midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në grupit e kontaktit dhe më gjerë. Pra pavarësisht nga qëndrimi i Beogradit, procesi do të ecë përpara.

Zëri i Amerikës: Si e komentoni ju reagimin e zotit Koshtunica i cili kundërshtoi të takohet me zotin Ahtisari në Beograd, ndërsa ka kërcënuar të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me vendet që njohin Kosovën?

Janush Bugajski: Gabim shumë i madh, por i zakonshëm prej tij. Duket qartë se ai kërkon të shihet në sytë e publikut se nuk po i jep asgjë Ahtisarit dhe as që e pranon që një plan i tillë është paraqitur. Është një gabim politik tipik nga dikush që mendoj se është aq i fokusuar në punët e brendshme saqë nuk mund ta quaj udhëheqës që sheh interesat e gjera të Serbisë. Në se Serbia kërkon të izolojë veten nga pjesa tjetër e botës, kjo është mënyra për të arritur aty. Kur Prishtina, të bëjë peticion për njohje ndërkombëtare, mendoj se Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, dhe eventualisht gjithë vendet e Bashkimit Evropian do ta njohin Kosovën, të gjithë vendet fqijne do ta njohin atë, gjithë bota myslimane, kështu që nuk e kuptoj përse Serbia kërkon ta izolojë veten edhe më tej nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo do të mbështeste argumenti e atyre që thonë se Serbia jeton akoma në shekullin e 19të, që e sheh veten si fuqi të madhe kur në fakt nuk është më.

XS
SM
MD
LG