Lidhje

Bush: Nevojiten reforma të mëtejshme në sherbimet e zbulimit


Presidenti Bush thotë se komuniteti amerikan i shërbimit sekret duhet të zbatojë më shumë reforma në mënyrë që të përballojë sfidat e luftës kundër terrorizmit. Presidenti foli në ceremoninë e betimit të drejtorit të ri të zbulimit.

Majk Mekonell merr postin e drejtorit kombëtar të zbulimit në një kohë kritike për vendin. Nën-admirali në pension dhe ish kreu i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, është ngarkuar me detyrën e koordinimit të punës së më shumë se 10 agjencive të zbulimit dhe të shërbejë si këshilltari më i lartë i presidentit për zbulimin.

Një nga sfidat e menjëhershme me të cilën përballet zoti Mekonell, është ndjekja e veprimeve të Al-Kaidës, grupi përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, në Shtetet e Bashkuara. Njoftimet e medias thonë se AL-Kaida, e cila është në qendër të luftës kundër terrorizmit, po rimerr fuqitë dhe po krijon një bazë të re veprimi në Pakistan, përgjatë kufirit me Afganistanin.

Në fjalën e tij në ceremoninë e betimit të zotit Mekonell, presidenti Bush u përqëndrua tek nevoja për të qenë vigjilentë. “Eksperienca e gjatë e zotit McKonell e ndihmon atë për të patur të qarta kërcënimet që kemi përballë në shekullin e ri. Ai e di se terroristtë që goditën Shtetet e Bashkuara më 11 shtetor, të vitit 2001, janë të vendosur të godasin vendin përsëri.”

Presidenti tha se ai kërkon që zoti Mekonell të përmirësojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet agjencive të zbulimit dhe të përqëndrohet tek rekrutimi i më shumë agjentëve që flasin gjuhë kritike për momentin, si arabishtja dhe persishtja.

Zoti Mekonell tha se rekrutimi i agjentëve të tillë është me rëndësi të dorës së parë dhe u zotua se do të bënte shumë ndryshime në praktikat e vjetëruara të marrjes së punë. “Politikat e vjetra kanë penguar zbatimin e disa reformave të nevojshme, si rekrutimi i amerikanëve të lindur nga prindër të huaj, apo që kanë gjyshër të ardhur nga një vend tjetër, të cilët i njohin këto gjuhë të huaja si gjyhën e nënës, njohin veçori nga kultura të ndryshme dhe kuptojnë llojin e kërcënimeve që përballojmë.”

Presidenti Bush dhe zoti Mekonell nuk përmendën në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen e pranisë së Al-Kaidës përgjatë kufirit afgano-pakistanez.

Gjatë një konference shtypi për gazetarët, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou, gjithashtu nuk pranoi të jepte hollësi, por ai hodhi poshtë në mënyrë të veçantë thëniet se administrata e presidentit Bush nuk po bën sa duhet për ndjekjen dhe shkatërrimin e rrjetit terrorist. “Terroristët janë çorganizuar keq, por duhet ta kemi të qartë se ata janë njerëz të vendosur dhe do të mundohen të riorganizohen. Ndërkohë ne jemi po aq të vendosur për t’i eleminuar dhe për të ndryshuar situatën.”

Zëdhënësi Snou tha se Al-Kaida është një organizatë amorfe dhe ka tendenca të lëvizë. Ai tha se ajo mbetet një kërcënim i rëndësishëm terrorist dhe se administrata vazhdon të marrë masat e nevojshme për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi. //ad//

XS
SM
MD
LG