Lidhje

Hand: Politikanët shqiptarë duhet të mësojnë nga gabimet


Këshilltari i lartë i komisionit Helsinki i Kongresit amerikan, Robert Hand, shprehu zhgënjim rreth zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit në Shqipëri. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hand tha se, për shkak të vonesave, mosmarrëveshjeve mes politikanëve, incidenteve dhe një sërë problemesh të tjera, do të kishte qënë suprizë për të në se zgjedhjet do të kishin përmbushur standartet ndërkombëtare. Zyrtari i Komisionit amerikan të Helsinkit thotë se udhëheqësit politikë shqiptarë duhet të mësojnë nga gabimet dhe jo t’i përsërisin ato në zgjedhjet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, shefi i misionit të vëzhguesve të OSBE-së, ODIHR, u shpreh i zhgënjyer rreth zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si një shans i humbur për plotësimin e standarteve ndërkombëtare. Cili është reagimi juaj?

Robert Hand: Nuk jam aspak i habitur që jo vetëm misioni i vëzhguesve, por edhe të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, që i ndoqën këto zgjedhje, i cilësuan ato si një shans i humbur. Mendoj se kjo pritej, duke pasur parasysh vonesat në organizimin e zgjedhjeve, mungesën e besimit mes kandidatëve dhe shumë gjëra të tjera që nuk u bënë në kohën e duhur. Në fakt unë do të isha habitur sikur zgjedhjet të përmbushnin standartet sepse që në fillim ato nuk morën drejtimin e duhur. Deri diku, është meritë e zyrtarëve të zgjedhjeve, që zgjedhjet u zhvilluan. Që zgjedhjet të jenë në përputhje me standartet e OSBE-së, ato duhet të zhvillohen në mënyrë të natyrshme dhe jo me ndërhyrjen e jashtme apo me tensionet, që i shoqëruan ato. Jam krejtësisht dakord me deklaratën e ODIHR-it, se zgjedhjet ishin një shans i humbur dhe shpresoj që një herë e përgjithmonë të gjitha palët në Shqipëri ta shqyrtojnë me seriozitet këtë kritikë. Shpresoj që zyrtarët e zgjedhur të fillojnë nga detyra dhe t’i shërbejnë popullit dhe udhëheqësit e Shqipërisë të mësojnë nga gabimet e këtyre zgjedhjeve në vend që të përsërisin të njëjtat gabime në zgjedhjet e ardhme.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, vetëm 3 ditë para zgjedhjeve, ju thatë, dhe unë po ju citoj, “Shqipëria përballet me pengesa që duhen kapërcyer dhe jo vetëm për të mirën e integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por për të mirën e popullit, i cili meriton një qëndrim shumë të mirë nga ana e politikanëve”. Dhe tre ditë pas zgjedhjeve, nuk duket se Shqipëria ka kapërcyer ndonjë pengesë.

Robert Hand: Në se mund të përdor analogjinë e vrapuesit që kapërcen pengesat, mund të them se me këto zgjedhje Shqipëria ka humbur deri diku balancën, nuk është rrëzuar por ende ka kohë t’i kapërcejë pengesat, megjithatë duhet të përgjigjet me shpejtësi dhe serizitet për zgjidhjen e problemeve ekzistuese. Kur flasim për pengesat drejt integrimit evropian, dyert ende janë të hapura për Shqipërinë dhe ajo ka mundësi të rimëkëmbet. Por siç e thashë edhe javën e kaluar, dhe siç përmendet në raportin e OSBE-së, zgjedhjet lokale nuk kanë të bëjnë me integrimin evropian, por me çështje lokale. Madje për mua ky është shansi më i madh i humbur, që zgjedhjet lokale në Shqipëri shndërohen në një fushatë për çështje me rëndësi kombëtare. Cila është arsyeja për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve lokale, kur në to nuk trajtohen çështje lokale, të cilat do t’u jepnin mundësinë zgjedhësve të votonin për kandidatin, që do t’i trajtonte më mirë pikërisht këto çështje.

Zëri i Amerikës: Ju thoni që zgjedhjet lokale duhet të përqëndrohen në çështje lokale dhe jo të shndërohen në zgjedhje të përgjithshme, ku trajtohen çështje kombëtare si integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropia. Si mund të edukohet elektorati, që të bëjë pikërisht këtë, t’i mbajë përgjegjës politikanët për çështjet lokale.

Robert Hand: Deri diku elektorati shqiptar po reagon në këtë mënyrë, duke mos marrë pjesë në zgjedhje. Ndërsa në këto zgjedhje pjesëmarrja ishte nën 50 përqind, në të ardhmen mund të shikojmë një pjesëmarrje edhe më të ulët. Për mua një gjë e tillë do të ishte gabim. Zgjedhësit duhet t’i mbajnë përgjegjës politikanët dhe në se ata nuk bëjnë atë që premtuan, elektorati voton për dikë tjetër në zgjedhjet e ardhshme. Organizatat jo-qeveritare, që mbrojnë çështje të ndryshme, janë një fomë e mirë për t’u lidhur me kandidatët gjatë fushatës dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës kur fillojnë detyrën. Nga ana e tyre, votuesit duhet të vazhdojnë të jenë konstruktivë. Zgjedhësit duhet të angazhohen në një proces paqësor e të qytetëruar dhe të mbrojnë çështje të caktuara lokale dhe në afatin e gjatë shpresoj që qëndrime të tilla të ndryshojnë atmosferën politike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, dy muaj para zgjedhjeve, në intervistën që dhatë për Zërin e Amerikës, ju shprehët një zhgënjim të madh lidhur me mosmarrëveshjet që ekzistonin mes politikanëve shqiptarë edhe lidhur me datën e zgjedhjeve. A jeni njësoj të zhgënjyer sot, pas zgjedhjeve.

Robert Hand: Po, jam fatkeqësisht. Pjesë e arsyes që isha aq negativ gjatë intervistës para 2 muajsh ishte që gjërat të ndryshonin. Kjo deri diku ndoshta ndodhi dhe për këtë u desh një angazhim i madh i komunitetit ndërkombëtar. Megjithatë, zgjedhjet në Shqipëri përfunduan në zhgënjim për mua. Një vend, që përpiqet të konsolidojë institucionet demokratike, nuk duhet të mbështetet në ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar edhe për mbajtjen e zgjedhjeve. Shqipëria duhet të përparojë në procesin zgjedhor në të gjitha nivelet qeverisëse në mënyrë që këto procese të jenë të natyrshme, njerzit t’i besojnë sistemit dhe të pranojnë rezultatin, pavarësisht nga fituesi, ta pranojnë atë si rezultati i vërtetë, që pasqyron vullnetin e popullit. Kjo është pikërisht ajo që ka nevojë të bëjë Shqipëria, ndërsa ecën drejt integrimit evropian. //ze//

XS
SM
MD
LG