Lidhje

Xhon Kolston: Partitë politike shqiptare duhet të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore


Zëvendës sekretari i Përgjithshëm i Natos, Xhon Kolston u shpreh sot i kënaqur me ecurinë e përgatitjeve të Shqipërisë për anëtarësim në Nato. Ai deklaroi në përfundim të një takimi me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu se vlerësonte përparimin e bërë, angazhimin e qeverisë shqiptare për të rritur buxhetin e Mbrojtjes në 2 për qind të GDP-së deri në vitin 2008, angazhimet e tjera për ristrukturimin e FA-së, si dhe për vazhdimin dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në operacionet paqeruajtëse.

"Shqipëria është në rrugën e duhur për krijimin e një force ushtarake profesioniste dhe brenda standardeve që kërkon marrja e ftesës për anëtarësim në NATO", tha ai.

Por ndërsa rruga për përmbushjen e standarteve në aspektin ushtarak ecën pa probleme, anëtarësimi në Nato kërkon edhe një sërë standartesh politike dhe ekonomike. Për vendin zgjedhjet mbeten një problem kronik. Edhe zgjedhjet e zhvilluara më 18 shkurt u konsideruan nga misioni i OSBE-ODIHR-it si një shans i humbur.

Zyrtari i lartë i Natos deklaroi se aleanca e Atlantikut mbështet plotësisht raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë:

"Ne ndajme të njejtin opinion se këto zgjedhje kanë nënvizuar nevojën për të vazhduar përparimin në krijimin e procedurave për zgjedhjet dhe të sigurojnë administrimin e tyre me një bazë më korrekte. Zgjedhjet nënvizuan rëndësinë që të gjitha palët në Shqipëri të bashkëpunojnë për të siguruar që reforma për organizimin e zgjedhjeve demokratike të realizohet plotësisht dhe sa më shpejt".

Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu rikonfirmoi angazhimin e shprehur pak ditë më parë edhe nga kryeministri për përshpejtimin e procesit të kartava të identitetit, ndërkohë që të gjitha forcat politike kanë shprehur nevojën që të nisë menjëherë puna për realizimin e një reforme të plotë elektorale.

Edhe raporti i katërt vlerësues i vëzhguesve, i publikuar mbrëmë, vuri në pah problemet e shumta që shoqëruan procesin e numërimit të votave, që nga konfliktet mes komisionerëve, aktet e dhunës, bllokimet e deri te ndërhyrjet e përfaqësuesve politik që në disa raste, sipas raportit, u përpoqën të frikësonin grupet e numërimit të votave. //ze//

XS
SM
MD
LG