Lidhje

Konferencë e kandidatëve presidencialë republikanë në Uashington


Për Partinë Republikane është një fund-javë ku konservatorët po mundohen të provojnë cilësitë e tyre. Kandidatët për garën presidenciale kanë ardhur në Uashington për të treguar se zotërojnë cilësitë e duhura konservatore për të fituar mbështetjen kyçe të krahut të djathtë të partisë.

Pretendentët republikanë të garës presidenciale të 2008-s, erdhën këtë fund-javë në Uashington në përpjekje për të fituar mbështetjen e krahut të djathtë të partisë.

Konferenca vjetore për aktivitetin politik konservator, është mbledhja më e rëndësishme e konservatorëve. Baza republikane është e pakënaqur me pretendentët kryesorë të garës presidenciale: Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani shihet si tepër liberal tek çështje si aborti, kontrolli i armëve dhe të drejtat e homoseksualëve. Senatori Xhon McKein, është më liberal tek çështje si imigracioni dhe reforma për financimin e fushatës elektorale dhe Mit Romni, dikur guvernator i shtetit më demokrat të vendit, i cili shpesh karakterizohet si Romni i ndryshuar.

Robert Cruciger është një republikan nga shteti i Ohio-s. “Nuk më pëlqen fakti se disa prej tyre nuk janë konservatorë për çështjet sociale dhe disa për çështjet ekonomike. Mendoj se kemi nevojë për një kandidat që mishëron veti konservatore tek të dyja këto aspekte.”

“Nuk ka asnjë pretendent i cili të veçohet nga të tjerët," thotë Majk Sparling, republikan nga Miçigani.

Kandidatë më pak të njohur si Xhim Gilmor, Sam Broubek dhe Majk Hakëbi, po mundohen të bindin konservatorët se ka alternativa të tjera: “Përcjellja e një mesazhi dhe krijimi i një lidhjeje me këtë grup republikanësh nënkupton komunikim me vetëm shpirtin e Partisë Republikane,” thotë zoti Hakëbi.

Por në vend të shpresave për një tjetër Ronald Regan, disa konservatorë po zgjedhin nga kandidatët aktualë, duke sakrifikuar parimet për të qenë realistë. Sipas sondazheve të rrjetit ABC, zoti Xhuliani kryeson listën e pretendentëve republikanë, falë mbështetjes së protestanëve evangjelistë të bardhë. Ndërkohë sipas një sondazhi tjetër dje, zoti Romni u rendit në vendin e parë. “Edhe nëse ata do të ishin e vetmja alternativë, përballë një demokrati, sidomos përballë Hillari Klinton, unë do t’i votoja pa asnjë hezitim këta kandidatë," thotë Lin Serëmi nga shteti Misisipi.

Mundja e zonjës Hillari Klinton është një pikë ku të gjithë repubilkanë pajtohen. //ad//

XS
SM
MD
LG