Lidhje

Trajtimi i kancerit të prostatit; Mbipesha dhe roli i baktereve


Trajtimi i kancerit të prostatës

Në Shtetet e Bashkuara 230 mijë vetë diagnostikohen çdo vit me kancer në prostat dhe shumë prej tyre trajtohen me operacion ose me rrezatim. Por një studim i kohëve të fundit lë të kuptohet se shpesh këto lloj trajtimesh janë të panevojëshme.

David Alsaser kujton se si 6 vjet më parë, në moshën 53 vjeçare, mjekët i thanë se ai kishte kancer në prostat. Dhe frika që ai ndjehu është e kuptueshme.

Trajtimet me operacion apo rrezatim mund të sjellin pasoja anësore afatgjate, përfshi impotencën dhe moskontrollin e urinimit. Përderisa tumori në prostatin e tij rritej shumë ngadalë, David vendosi të mos i nënshtrohej ndonjë trajtimi mjekësor. Ai mendonte se kishte të ngjarë që tumori të mos rritej, por nëse po, atëhere ai mund të kërkonte trajtim me operacion ose rrezatim.

Sipas studimit, 38 përqind e burrave të diagnostikuar me kancer në prostat ishin kandidatë të mundshëm për të mos iu nënshtruar operimit ose trajtimit me reze. Megjithatë shumë prej tyre kishin gjasa të përfundonin në sallën e operimit.

Doktor Xhon Vei pranë departamentit të shëndetësisë në Miçigan thotë se shumica mendojnë se po të kesh kancer do të vdesësh, por e vërteta është se një numër i madh pacientësh me kancer në prostat nuk vdesin nga kjo sëmundje.

Ndoshta problemi më i madh për këta të sëmurë është se asnjë lloj analize nuk mund të parashikojë nëse kanceri që sot është i shkallës së rrezikut të ulët, nesër nuk do të shndërrohet në rrezik të lartë. Për këtë arsye, David Alsaser kryen analiza çdo tre muaj dhe biopsi të prostatës një herë në 6 muaj për të ndjekur shkallën e zhvillimit të tumorit.

Mbajtja e një qëndrimi pritës për trajtimin e kancerit të prostatit është një vendim i vështirë e personal për çdo njeri, por për disa si David Alsaser, është më mirë t’a presësh rrezikun sesa të shkosh vet tek ai.

Mbipesha dhe roli i mikrobeve

Mikrobet janë bashkëudhëtarët më të herëshëm të njeriut. Në fazat e para të evolucionit, prania e tyre në organizëm ka ndihmuar për ruajtjen e energjisë në formë dhjami. Por shkencëtarët thonë se në epokën bashkëkohore të ushqimeve me kalori të lartë, këto mikrobe duket se nuk i sjellin njeriut ndonjë të mirë.

Një grup shkencëtarësh biologë në Saint Luis të Minesotës mendojnë se mbipesha shkaktohet nga bashkëpunimi midis organizmit dhe baktereve. Ata thonë se gjenet e mikrobeve jo vetëm ndikojnë në ruajtjen e kalorive por edhe zgjedhin se cilat kalori të ruajnë dhe mbajnë ato kalori që depozitohen në dhjam.

Kur njeriu ha, ai nuk ushqen vetëm veten e tij. Ai ushqen edhe bakteret e zorrëve. Biologu Xhef Gordon thotë se bakteret në zorë e marrin energjinë nga ushqimi ynë dhe numri i tyre në organizëm është 10 herë më i madh sesa ai i qelizave.

Doktor Gordon thotë se njeriu kurrë nuk ha vetëm. Një komunitet i madh mikrobesh përfiton nga ushqimi i tij dhe një nga mënyrat e bashkë-ekzistencës së organizmit me mikrobet është bashkëpunimi dhe shkëmbimi, në këtë rast shkëmbimi i vlerave ushqimore

Doktor Gordon dhe ekipi i tij pranë universitetit Uashington në Saint Luisi kanë gjetur të dhëna se ky bashkëpunim midis mikrobeve dhe organizmit mund të sjellë si rezultat mbipeshën. Në studimin e tyre thuhet se tek minjtë në laborator, prej të cilëve u hoq një grup mikrobesh të caktuara, nuk u vunë re shenja të dhjamosjes pavarësisht nga lloji apo sasia e ushqimit.

Doktor Gordon thotë se minjtë pa këto mikrobe u treguan rezistent ndaj mbipeshës që krijohet si rezultat i niveleve të larta të yndyrnave dhe sheqerit.

Shkencëtarët zbuluan se minjtë mbi peshë kanë më shumë baktere të një lloji të veçantë, ndërsa minjtë në peshë normale kanë më shumë baktere të një lloji tjetër. Shkencëtarët gjithashtu kontrolluan edhe një numër njerëzish dhe nxorrën të njëjtat rezultate, dhe ashtu si tek minjtë, kur analizuan gjenet e mikrobeve panë se ato jo vetëm ndikojnë në ruajtjen e kalorive por edhe zgjedhin se cilat kalori të ruajnë dhe mbajnë ato kalori që depozitohen në dhjam.

Doktor Gordon thotë se është tepër herët të thuhet në se mbipesha shkaktohet nga ndryshimet në mikrobet e zorrëve apo këto ndryshime shkaktohen nga mbipesha. Megjithatë, duke kuptuar e njohur më mirë marrëdhëniet midis mikrobeve dhe organizmit, shkencëtarët ka gjasa të thonë më saktë fjalën e tyre për zhvillimin e mënyrave të reja për të trajtuar mbipeshën.

XS
SM
MD
LG