Lidhje

SHBA: Demokratët në Kongres këmbëngulin për tërheqjen e trupave nga Iraku


Presidenti Bush ka përballë sfida të reja nga Kongresi i kontrolluar nga demokratët lidhur me kontigjentin e ri të trupave të vendosura në Irak dhe për financimin e operacioneve ushtarake. Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve po propozojnë ligje që parashikojnë fillimiin e tërheqjes nga Iraku duke filluar këtë vit dhe jo më vonë se vitin tjetër, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë kërcënoi se do t’i vërë veton atyre. Ndërkohë, demokratët në Senat u përpoqën por nuk ia arritën të fitonin mbështetjen e republikanëve për të debatuar mbi rezolutën e tërheqjes.

Sfidat ndaj Presidentit vinë ndërkohë që ai ka filluar një turne në vendet e Amerikës Jugore dhe Qendrore.

Udhëheqësit demokratë të Dhomën së Përfaqësueseve bënë të ditur ligjin për financimin e operacineve në Irak dhe Afganistan, për të cilin kreytarja Nenci Pellosi tha se pasqyron dëshirën e amerikanëve për një drjetim të ri në Irak:

“Populli amerikan po e thotë vazhdimisht se pret që ne ta përfaqësojmë me një gjykim të drejtë. Ai pret nga ne që të përmbushim përgjegjësitë tona, që mes të tjerash është mbrojtja e popullit amerikan, që varet nga përgatitja e trupave tona, që varet nga fuqizimi i rezervave tona strategjike dhe gatishmëria për të mbrojtur interesat tona, kudo që ato të jenë të kërcënuara”.

Projekt-ligji mbështetet në kërkesën fillestare të Presidentit Bush për financimin e operacioneve në Irak dhe Afganistan, duke i kërkuar atij që të respektojë afatet e caktuara për në korrik dhe tetor të këtij viti për të informuar kongresin rreth përparimit të bërë nga qeveria ikakiane në realizimin e objektivave politike, ekonomike dhe të sigurimit.

Në qoftë se nuk vërtetohet përmbushja e këtyre objektivave, atëhere do të fillojë periudha gjashtë mujore e tërheqjes së trupave nga Iraku, shumica e të cilave të jenë larguar nga Iraku, të shumtën deri në vjeshtë të vitit 2008.

Projektligji parashikon pak më shumë se 95 miliardë dollarë për Irakun dhe Afganistanin dhe demokratët kërkojnë gjithashtu që presidenti të vërtetojë se njësitë e ushtrisë amerikane që do të dislokohen të jenë të stërvitura dhe të pajisura plotësisht dhe afati i vendosjes së tyre në Irak të jetë i kufizuar.

Kongresisti, John Murtha, kryeson një nënkomision me rëndësi në fushën e mbrojtjes.

"Kur filloi lufta, pothujse çdo njësi rezerviste dhe të gjitha njësitë e rezervave strategji ishin në gjendje të lartë gatishmërie. Tani ato janë në nivelin më të ulët të gatishmërisë. Ne nuk mund të dislokohemi me atë shpejtësi që do të dëshironim jashtë vendit dhe ushtrojmë influencë në ndryshimin e gjërave, për shkak të mungesës së gatishmërisë, gjë të cilën ne e kemi trajtuar”.

Demokratët shprehin bindjen se largimi i trupave nga Iraku do të krijonte kushtet për përqendrimin e përpjekjeve në Afganistan ku forcat amerikane, të NATO-s dhe ato të Ushtrisë Kombëtare të Afganistanit kanë përballën një rezistencë më të fortë nga luftëtarët talebanë dhe ata të al-Kaidës.

Ajk Skelton, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, thotë:

“Lufta në Afganistan është e drejtë, dhe është pikërisht ajo që kërkon gatishmëri sot, nesër dhe në ditët dhe muajt që kemi përpara”.

Udhëheqësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve shpresojnë ta finalizojnë ligjin javën e ardhshme me synimin për ta hedhur në votë një javë më pas.

Republikanët po e kritikojnë planin, duke i akuzuar demokratët se në këtë mënyrë po ndihmojnë kryengritësit dhe terrorisët në Irak.

Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhan Boner parashikon se shumica e republikanëve do ta kundërshtojnë projektligjin.

“Republikanët nuk do të votojnë për të kufizuar mundësitë e gjeneralëve dhe trupave tona në terren, për pakësimin e burimeve të tyre në dispozicion dhe për dështimin tonë në Irak, që janë pikërisht ato që parashikon plani i demokratëve”.

Shtëpia e Bardhë ka kërcënuar se do t’i vërë veton ligjit. Ndërkaq, udhëheqësit demokratë në Senat u përpoqën por pa rezultat që të fitonin mbështetjen e Republikanëve për të debatuar një rezolutë të përbashkët që bën thirrje për tërheqjen me faza të forcave amerikane nga Iraku deri në mars të vitit 2008.

Senatori Herri Rid foli dje për këtë çështje para se përpjekja e tij e fundit për një debat mbi Irakun të bllokohej:

“Ne nuk mund të qendrojmë në Irak përgjithmonë. Çështja është nëse ne do të vazhdojmë të ndjekim strategjinë e dështuar të Presidentit ose të punojmë për ndryshimin e kursit. A do të qendrojë Senati në heshtje, apo ne do të vendosim stabilitetin në Irak dhe të largojmë trupat tona nga vala e luftës civile në Irak dhe t’i kthejmë ato në Shtetet e Bashkuara”.

Projekt-ligji për financimin e operacioneve në Irak dhe Afganistan, që demokratët kanë në plan ta finalizojnë javën e ardhëshme në komisione, do të ndalonte mbajtjen e bazave të përherëshme ushtarake amerikane në Irak dhe do të ndalonte ndonjë goditje ushtarake në Iran pa miratimin e Kongresit. //iç//

XS
SM
MD
LG