Lidhje

Presidenti Bush vazhdon turneun e vullnetit  të mirë në Amerikën Latine me synimin për të nxjerrë në dritë luftën kundër varfërisë në rajon


Shtetet e Bashkuara dhe Brazili nënshkruan një marrëveshje për zgjerimin e prodhimit të etanolit si karburant me bazë kallamin e sheqerit në Amerikën qëndrore dhe Karaibe. Marrëveshja u nënshkrua në Brazil nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolisa Rajs, dhe homologu i saj brazilian, Celso Amorim, ndërsa presidenti Bush dhe homologu i tij brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva diskutonin mbi planet për prodhimin e bionaftës gjatë një takimi në San Paolo. Presidenti Bush tha gjithashtu se vendet duhet të jenë mbrojtës të mirë të mjedisit. Të dy presidentët thanë se marrëveshja do të krijojë më shumë vende pune në Brazil. Shtetet e Bashkuara dhe Brazili prodhojnë rreth 75 përqind të etanolit të botës, ndërkohë që Brazili është eksportuesi më i madh. Shtëpia e Bardhë thotë se qëllimi i vizitës 6-ditëshe të Presidentit në Amerikën Latine është vullneti i mirë, për të nxjerrë në dritë luftën kundër varfërisë në rajon. Por kritikët thonë se ky turne ka më shumë të ngjarë t’i kundërvihet ndikimit në rritje të presidentit të Venezuelës, Hugo Cavez, një kritik i hapur i administratës së presidentit Bush. Destinacioni i dytë i Presidentit Bush në Amerikën Latine është Uruguai, ku çështjet e tregtisë së ndërsjelltë dhe luftës kundër varfërisë pritet të jenë temat kryesore në bisedimet me homologun uruguajan, Tabare Vaskez.

Presidenti uruguajan i qendrës së majtë Tabare Vaskez, ka ndjekur një vijë delikate para vizitës së Presidentit Bush, nga njëra anë duke bërë thirrje për zgjerimin e tregtisë me Amerikën, dhe nga ana tjetër duke kritikuar atë që e cilëson si “imperializmi amerikan.”

Një aleat i zotit Vaskez në Parlament, Senatori Eduardo Rios, ka një mesazh të ngjashëm: Eduardo Rios “Presim një vizitë që të zgjerojë tregtinë, dhe shpresojmë se Presidenti Bush nuk do të vijë me ndonjë plan imperialist që ka imponuar gjetkë në botë,” tha parlamentari uruguajan.

Uruguai shpreson të shesë një vëllim më të madh mishi, tekstilesh dhe produktesh të tjera që eksporton në Shtetet e Bashkuara, partneri i saj më i madh tregtar gjatë 2 prej 3 vjetëve të fundit. Dy vendet kanë një marrëveshje për zgjerimin e tregtisë dhe Presidenti Bush ka shprehur dëshirën për një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë. Por disa uruguajanë mendojnë se vendi i tyre do të përfitonte më shumë nga integrimi ekonomik me pjesën tjetër të Amerikës Latine.

Cilido qoftë qëndrimi i tyre mbi çështjet tregtare, shumë uruguajanë, të irrituar kryesisht nga ndërhyrja amerikane në Irak, nuk duket se kanë dëshirë të dëgjojnë mesazhin e Presidentit Bush: “Nuk më pëlqejnë ato që bën Presidenti Bush: ai pushtoi një vend me të cilin nuk ka asnjë lidhje, përveç naftës,” thotë një uruguajane.

Të tjerët kanë një mendim krejt tjetër. Ish-Presidenti Alberto Lacalle kujton kredinë emergjente që Presidenti Bush i dha Uruguajt, kur vendi ishte në prag të falimentimit financiar. Alberto Lacalle “Gjatë krizës së vitit 2002, 1 presje 5 miliardë dollarë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara ndihmuan që Uruguai të mos dështonte. Bankat nuk u mbyllën. Në jetë duhet të tregohesh mirënjohës. Kjo nuk nënkupton se duhet të biem dakord me gjithshka që thonë Shtetet e Bashkuara. Por duhet të kujtojmë se kur kishim nevojë, një vend dhe një qeveri, ajo e George Bushit, na erdhi në ndihmë,” thotë ish-presidenti Lacalle.

Zyrtarët amerikanë në Uruguai hedhin poshtë perceptimin se Uashingtoni e ka lënë në harresë Amerikën Latine gjatë viteve të fundit, për t’u përqendruar në pjesë të tjera të botës. Por ata pohojnë se ky perceptim ekziston dhe se imazhi i Amerikës në rajon duhet të përmirësohet. Nxitja e tregtisë është një nga mënyrat për ta arritur këtë, shprehet ambasadori amerikan në Uruguai, Frenk Bakster: “Imazhi është i rëndësishëm, pa dyshim, por mënyra më e mirë për të përmirësuar imazhin është të bëjmë atë që duhet. Mendoj se po bëjmë atë që duhet në shumë aspekte në Uruguai. Tregtia pa dyshim është një ndër mënyrat më të mira të komunikimit. Shpresojmë të hapim vende të reja pune këtu dhe në Shtetet e Bashkuara,” thotë ambasadori amerikan Bakster.

Këtë javë, Presidenti Bush deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë ndihmat për Amerikën Latine, duke u përqëndruar në nevojat e rajonit në shëndetësi, arsim dhe strehim. //ad//

XS
SM
MD
LG