Lidhje

Shqipëria forcon ligjet për mjedisin, por ato nuk zbatohen


Ndotja e mjedisit dhe shkarkimet e gazrave në Shqipëri janë ndër shqetësimet kryesore për jetën e banorëve në qytetet më të mëdha të vendit.

Kapërcimi i dimrit dhe hyrja e stinës së pranverës pritet të rihapë debatet midis ekologjistëve dhe zyrtarëve qendorë dhe vendorë te mjedisit. Sidomos Tirana, ndonëse pastrohet nga tre kompani private, është quajtur nga studiues të ndryshëm si një nga qytetet më të ndotura të Evropës, ku normat e ndotjes janë deklaruar 6-7 herë më të larta se të vendeve të tjera. "Rreth 50 mijë ton pluhur dhe dioksid karboni mbushin Tiranë çdo vit, ose rreth 48 kg për banor", janë të dhënat që paraqet Instituti Kombëtar i Mjedisit.

Ndikimin më të madh e sjellin ndotja nga ndërtimet, ndotja nga karburantet dhe nga makinat e vjetëruara jashtë standardi po ashtu edhe ndikimi i përditshëm i njerëzve dhe veprimtarisë industriale.

Rreth 90 përqind e 100 mijë makinave të kryeqytetit janë shumë të vjetra, 70 për qind e tyre përdorin naftë dhe 30 për qind benzinë, por shumica e kësaj benzine përmban plumb dhe sasira të mëdha squfuri, dhe është e ndaluar në vendet e BE. Shqipëria ka aktualisht një ndotje gjithnjë në rritje prej gazrave helmues, të cilat janë 10 shkallë më të larta se niveli i toleruar që është të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pohojnë ekspertët.

Sipas Institutit të Statistikave, sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes janë në vend të tretë në listën e shkaqeve të vdekjes, vitin e fundit. Statistikat dhe mjekët tregojnë rritjen e numrit të njerëzve të prekur nga kanceri, sëmundjet kardiake dhe nga pneumonia, për shkak të gazrave të ndryshme helmuese dhe dioksidit të karbonit.

Integrimi i Shqipërisë në bashkësinë evropiane ka bërë që edhe ligjet e mjedisit të marrin formën më të ashpër për të reduktuar ndotjen. Por përsosja e ligjeve mjedisore po shkon në raport të zhdrejtë me ndotjen e mjedisit, dhe ligjet nuk po zbatohen. Ndërsa njerëzit presin përmirësimin e cilësisë së mjedisit, janë duke u shtuar njoftimet për ndotjes së ajrit, gërryerjes së lumenjve, shkallës së erozionit dhe për dëmtimin e burimeve natyrore. //rd//

XS
SM
MD
LG