Lidhje

Bob Hend: Propozimi Ahtisari ka shanset më të shumta për sukses

  • Intervistoi Edwards

Tani që plani Ahtisari iu paraqit Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, po hidhet vështrimi nga e ardhmja dhe ngrihen pyetje rreth vështirësive me të cilat do të përballet Kosova pas përcaktimit të statusit, sa e aftë do të jetë udhëheqja e saj për ta çuar përpara vendin. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, këshilltari i lartë i Komisionit amerikan të Helsinkit, Robert Hend, thotë se udhëheqja e Kosovës duhet të tregojë se jo vetëm që dëshiron një Kosovë të pavarur, por edhe një Kosovë demokratike, ku respektohen të drejtat e njeriut.

Zëri i Amerikës: Në raportin e tij, Marti Ahtisari thotë se “pavarësia është alternativa e vetme funksionale për një Kosovë politikisht të qëndrueshme dhe ekonomisht të suksesshme”. Cili është reagimi juaj?

Robert Hend: Mendoj se mënyra sesi u zhvilluan bisedimet gjatë vitit të fundit, propozimi i zotit Ahtisari për një pavarësi të mbikqyrur është alternativa që ka më shumë të ngjarë të ketë sukses. Unë nuk shprehem kurrë me fjalë si ‘e vetmja alternativë, sepse nuk dihet se çfarë alternativash të tjera mund të ketë, por është mëse e qartë se ky raport është forma më e përgjegjshme përpara. Mendoj se propozimi Ahtisari është një propozim serioz, i cili ndërsa krijon bazën e ecjes përpara ashtu siç kërkojnë shqiptarët e Kosovës dhe të tjerë, ky propozim mer parasysh gjendjen aty dhe nevojën për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar se pakicat kanë mundësinë për të bërë një jetë të mirë në Kosovën e ardhshme. Zoti Ahtisari e ka pasur parasysh këtë në raportin e tij, megjithëse kjo çështje është shumë e vështirë, por mendoj se është një hap pozitiv, që e çon përpara Kosovën.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa prej sfidave më të vështira me të cilat përballet Kosova menjëherë pas shpalljes së pavarësisë? Zoti Ahtisari thotë se Kosova nuk është gati të marrë mbi vete çështje si mbrojtjen e pakicave, zhvillimin ekonomik dhe ripajtimin social.

Robert Hend: Mendoj se sapo statusi të jetë përcaktuar, nevoja imediate është në fakt ajo që ekziston edhe tani para përcaktimit të statusit: qëndrueshmëria dhe qetësia në Kosovë, që do të thotë bërja e përpjekjeve për të ndihmuar dhe mbrojtur pakicat, për t’u siguruar se nuk ka dhunë nëpër rrugë, veçanërisht në një kohë të pasigurtë si tani. Megjithëse mund të bëhet argumenti se një gjë e tillë mund të nxitet nga segmente të caktuara të shoqërisë si njerëz me synime nacionaliste apo ekstremiste, në kohë pasigurie dhuna mund të jetë jetë edhe shkak i akteve spontane. Prandaj mendoj se gjendja tani, por më shumë menjëherë pas përcaktimit të statusit kërkon që udhëheqja e Kosovës të tregojë se jo vetëm që dëshiron një Kosovë të pavarur, por edhe një Kosovë demokratike, ku respektohen të drejtat e njeriut. Kërkohen përpjekje dhe manovrime të shumta për të zgjidhur çështje të vështirë dhe kjo është pikërisht ajo që duhet bërë. Kjo është edhe arsyeja që shumë njerëz këtu në Uashington, përfshirë edhe Komitetin amerikan të Helsinkit, në vend që të shprehin qëndrimin rreth statusit, kanë mbështetur fokusimin në respektimin e të drejtave të njeriut dhe demokratizimin, në mënyrë që Kosova të quhet demokraci, pavarësisht nga statusi i ardhshëm. Gjatë 8 vjetëve të fundit kjo nuk ka ndodhur, por duhet të ndodhë tani. Do të thosha gjithashtu se sapo të përcaktohet statusi, ai duhet të mbikqyret për të korregjuar çdo skenar negativ të mundshëm. Dua të theksoj se udhëheqjes së Kosovës i takon të respektojë të drejtat e njeriut, t’u shtrijë dorën komuniteteve të ndryshme, të mbështesë decentralizimin dhe ta kuptojë se duhet të bindë palën tjetër, e cila ka plotësisht të drejtë të mos i besojë asaj, të bëjë përpjekje të vazhdueshme dhe të mos heqë dorë, pavarësisht nga vështirësitë që ndesh. Udhëheqja shqiptare ka bërë një farë përparimi, po ta krahasojmë për shembull me dhunën e vitit 2004, por krahasimi nuk duhet bërë me të kaluarën, por se sa përparim ka bërë Kosova drejt objektivit përfundimtar, si ndërtimi i institucioneve demokratike, zbatimi i shtetit juridik, respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë. Në të njëjtën kohë duhet pranuar fakti se të gjithë njerzit në atë rajon janë traumatizuar nga dhuna dhe konflikti gjatë dekadës së fundit dhe njerzit duhet të kuptojnë vështirësitë e njeri tjetrit. Do të duhet punë e madhe dhe do të kalojë një farë kohe që të krijohet besimi mes komuniteteve të ndryshme në mënyrë që të gëzohen të drejtat që garantohen në planin Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Javën e kaluar, shqetësimet ruse rreth përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për finalizimin e statusit të Kosovës u shprehën përsëri fare qartë. A mendoni se Këshilli i Sigurimit do të gjej kompromis me Rusinë rreth statusit të Kosovës dhe sa do të ndihmonin Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim kur të marrin kryesinë e Këshillit të Sigurimit?

Robert Hend: Unë nuk e ndjek nga afër Rusisë se ç’vendim do të marë, por është fare e qartë se Moska nuk është e kënaqur me planin Ahtisari, por më pak e qartë se në ç’shkallë do ta kundërshtojë atë dhe në se do të shkojnë deri në veton kundër planit. Shpresoj që jo vetëm Rusia, por të gjithë vendet e angazhuara në këtë proces, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë, të përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre. Ajo që duhet konsideruar është se, megjithëse ekzistojnë mosmarrëveshje rreth propozimit Ahtisari, cilat janë alternativat. Kur dëgjoj argimenta si ‘duhet të vazhdojmë diskutimet, pse të nxitohemi’ pas 8 vjetësh të administrimit të Kosovës, shtyrjet dhe zvarritjet nuk janë alternativa, sepse krijojnë më shumë pasiguri dhe paqëndrueshmëri në rajon. Ka ardhur koha që të merren vendime. Për mendimin tim, plani Ahtisari është më seriozi i paraqitur deri më tani, mer parasysh të drejtat e pakicave në Kosovë dhe synon të krijojë kushtet për ecjen përpara në drejtimin e duhur, që mund të çojë në përmirësimin e gjendjes në Kosovë, prandaj ky plan duhet të shqyrtohet me seriozitet. Nuk mendoj se kalimi i kryesisë së Këshillit të Sigurimit nga një vend në tjetrit ndryshon thelbin e çështjesh, që është se palët kryesore të angazhuara në këtë proces duhet të pranojnë realitetin në Kosovë dhe në gjithë rajonin dhe të veprijnë për të mirën e rajonit.

Zëri i Amerikës: Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ftoi pakicën serbe të pranojë propozimin e të dërguarit të OKB-së. Edhe më parë udhëheqës të tjerë të Kosovës i kanë shtrirë dorën pakicës serbe me sa duket për të ulur shqetësimet e tyre për të ardhmen. A mendoni se ka vend për shqetësim se mund të ketë dhunë në rajon?

Robert Hend: Po, mendoj se ekziston mundësia për dhunë, megjithëse nuk mund të them se sa i madh është rreziku, por sidoqoftë ekziston dhe duhet të shikohet me seriozitet. Mund të ketë elementë që synojnë ta nxisin atë, por në këtë kohë pasigurie mund të ketë edhe keqkuptime dhe perceprime të gabuara. Mendoj se edhe komuniteti ndërkombëtar e kupton këtë gjë dhe po përpiqet të parandalojë përsëritjen e akteve të dhunshme në Kosovë. Këto janë edhe arsyet, siç e thashë edhe më parë, se pse duhen bërë përpjekje shtesë për t’i bindur palët në Kosovë që tani janë kundër planit Ahtisari se të drejtat e tyre do të respektohen. Dhe këto përpjekje të vazhdojnë edhe në të ardehmen e jo vetëm në periudhën pas miratimit përfundimtar të planit Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Një prej shqetësimeve të shprehura rreth planit Ahtisari është se ka zëra që thonë se nëse Kosova bëhet e pavarur, serbët do ta braktisin Kosovën ose të ndajnë veriun e Kosovës. Sa real është një skenar i tillë dhe sa shqetësues është ai për rajonin dhe gjithë Perëndimin?

Robert Hend: Mendoj se ekziston mundësia për një skenar të tillë dhe për këtë duhet të jemi të shqetësuar. Shpresoj që duke u bazuar në planin Ahtisari lidhur me decentralizimin e krijimin e bashkive, udhëheqja e Kosovës zbaton me seriozitet të gjitha aspektet e propozimit të kryenegociatorit të OKB-së dhe komuniteti serb e pakicat e tjera i mbajnë përgjegjës udhëheqësit e Kosovës për këtë. Decentralizimi, dhe jo ndarja e Kosovës, është një përpjekje për të zgjidhur nevojat e të gjithë njerzve në mbarë Kosovën. Ndarja e Kosovës mund të çojë në mënjanimin e një segmenti të shoqërisë dhe në më shumë dhunë në rajon. Dhe këtë nuk e shikoj si një alternativë që e çon përpara Kosovën dhe rajonin. Shpresoj që mënçuria të triumfojë dhe në se plani Ahtisari miratohet, të gjitha palët e marin me seriozitet dhe e zbatojnë atë në tërësi dhe bëjnë një përpjekje të vullnetit të mirë për t’u angazhuar nëkëtë proces dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët. //ze//

XS
SM
MD
LG