Lidhje

Ministri gjerman sugjeron zgjerimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat


Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franc Jozef Jang sugjeroi që sistemi i propozuar amerikan për mbrojtjen nga raketat të zgjerohet dhe të përfshijë edhe mbulimin e Evropës jugore.

Ministri gjerman, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, tha në Komisionin e Punëve të Jashtëme të Parlamentit gjerman, se plani i tanishëm amerikan për instalimin e sistemit në Poloni dhe në Republikën Çeke do të mbronte Evropën Perëndimore. Por ai tha se ashtu siç është planifikuar tani, ky sistem do të linte të pambrojtura rajone të tjera të kontinentit.

Zoti Jang shprehu gjithashtu shpresën se Rusia më në fund do të heqë dorë nga kundërshtimet ndaj këtij sistemi. Ai sugjeroi që zyrtarët evropianë të luajnë një rol aktiv në zbutjen e këtyre shqetësimeve.

Rusia thotë se instalimi i sistemi mbrojtës nga raketat në kufirin e saj perëndimor do të përbënte kërcënim dhe do të minonte bashkëpunimin në Kombet e Bashkuara. Zyrtarët amerikanëthonë se sistemi në fjalë do të shërbente si mbrojtje ndaj kërcënimeve që vijnë nga shtete të papërgjegjshëm si Irani dhe Koreja e Veriut.//lk

XS
SM
MD
LG