Lidhje

Parlamenti miraton "ligjin e gjobave" me ulje dënimi, pas presioneve të partive të vogla


Parlamenti shqiptar miratoi një ligj të ndryshuar 3 herë mbi gjobat kundër bizneseve, pas presioneve të shumta të partive më të vogla pjestare të maxhorancës ndaj qeverisë.

Megjithë votat kundër të opozitës, ligji që parashikon parapagim të gjobave në masën 15 për qind arriti kështu të miratohej mbrëmë pas mesnate, vetëm pasi kjo masë ndëshkuese u ul më tej nga 100 për qind në variantin e parë, dhe 25 për qind në variantin e dytë.

Deputetët e partive më të vogla aleate të Partisë Demokratike deklaruan se ligji nuk mund të miratohej, nëse masa ndëshkuese e parapagimit nga 25 përqind nuk do të ulej më tej, apo edhe të hiqej fare, duke dhënë garanci pasurore. Kryeministri Sali Berisha tha se "ligji synonte tharjen e kënetës së informalitetit në vend", dhe se "formalizimi i ekonomisë është vetëm fillimi betejës për zhvillimin e ekonomisë së tregut". Por opozita këmbënguli se i mbiquajturi "ligji i gjobave" godet biznesin e rregullt dhe se ai rrezikonte stabilitetin financiar të vendit.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se ai ishte "një ligj për pengmarrjen e sipërmarrjes, përmes një procedure absurde, abuzive dhe antidemokratike". Ai tha se ky ligj do të shfuqizohet në rastin më të parë nga të majtët. Në seancën e stërgjatur parlamentare deri pas mesnate deputetët debatuan me tone të ashpra rreth ndikimeve që ky ligj do të kishte mbi ekonominë e vendit.

Maxhoranca mbeti e qëndrimit se ligji ishte në përputhje më standartet europiane, se ai synonte të vendoste rregulla të barabarta gare në tregun e lirë kaotik dhe informal në pjesën më të madhe të tij. Por opozita shprehu shqetësimin se ligji i gjobave do të rriste papunësinë, do të trembte kapitalin dhe nuk do ta ulte informalitetin. Seanca ishte gjithashtu një provë se sa forcë kanë partitë e mëdha dhe aleatët e tyre më të vegjël, në ndryshimin apo miratimin e ligjeve të rëndësishme për vendin. //rd//

XS
SM
MD
LG