Lidhje

"Freedom House" publikon raportin e ri për lirinë e shtypit në botë

  • Laura Konda
  • Uashington

"Liria e shtypit në botë shënoi rënie gjatë vitit 2006 per shkak të grushteve ushtarake, masave shtypëse të qeverive dhe vrasjes së gazetarëve", - këto janë disa nga përfundimet e Raportit të ri "Freedom of the press", Liria e Shtypit, të Organizatës “Freedom House “, një organizatë pro-demokracisë me seli në Washington.

Në raport thuhet se gjatë vitit 2006 ka patur prirje shqetësuese për lirinë e shtypit në vende të ndryshme të botës, sidomos në disa vende aziatike, në ish-Bashkimit Sovjetik dhe në Amerikën Latine. Mes 195 vendeve të botës të përfshira në raportin e përvitshëm për lirinë e shtypit, të Organizatës “Freedom House”, 74 vende renditen si të lira, 58 pjesërisht të lira dhe 63 vende jo të lira.

Gjendja e lirisë së shtypit në Shqipëri

Shqipëria, rreshtohet në vendin e 50, menjëherë pas Turqisë dhe pas vendeve të tjera fqinje, si Greqia, në vend të 25-të, Kroacia(37), Mali i Zi(37)Serbia(39),Maqedonia(45), Bullgaria(34), Rumania(42)Bosnja(45).

Shqipëria, thuhet në raport, mbron lirinë e shtypit, që në përgjithësi respektohet nga autoritetet e vendit. Mbrojtësit e shtypit të lirë, edhe në vitin 2006 vazhduan t’i bëjnë thirrje qeverisë të mos e cilësojë krim shpifjen, që sipas statuteve ekzistuese mund të dënohej deri me 2 vjet burgim.

Në muajin tetor, thuhet në raport, kryeministri Sali Berisha u dha urdhër zyrtarëve qeveritarë të shfrytëzojnë të drejtën për t’u përgjigjur, në vend të ngritjes së padive për shpifje, në rastet kur shtypi është i pasaktë, apo kur ai bie pre e favorizimeve politike. Perspektiva e reformës ligjore u përmirësua në muajin qershor, nënvizon raporti, kur Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, që cilësohet, si momenet kyç në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Zyrtarët evropianë thanë se shtypi do të jetë mes përparësive të Shqipërisë drejt anëtarësimit të organizatë dhe i bënë thirrje Tiranës për përmirësime të mëtejshme strukturore.

Raporti vëren se Rregullatori i Transmetimeve të vendit, i caktuar nga Parlamenti, Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit, KKRT, vazhdoi edhe në viitn 2006 të akuzohet për ndikim politik dhe mungesë kompetence.

Raporti vlerëson si arritje të Shqipërisë faktin që mediat e pavarura, edhe gjatë vitit 2006 vazhduan të jenë aktive në kritikat ndaj qeverisë. Raporti gjithashtu vlerëson se krahasuar me vitin 2005, rastet e dhunës ndaj gazetarëve, gjatë vitit 2006 nuk janë përsëritur më.

Shqipëria thuhet në raport, ka 66 televizione private, 45 radio dhe rreth 200 gazeta, por shumë prej tyre kanë mungesë fondesh, prandaj, vëren raporti, botuesit dhe pronarët e mediave kanë prirjen të diktojnë një politikë editoriale, mbi bazën e lidhjeve politike dhe ekonomike, që krahas me pasigurinë për punë të gazterëve, ushqen kulturën e vetë-censurimit.

Gjendja e lirisë së shtypit në Kosovë

Për Kosovën, raporti i Organizatës Freedom of the Press vëren se shtypi atje përballet me vështirësi financiare. Janarin e viti 2006, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për transferimin e autoritetit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga UNMIK-u, Ministrisë së Financave.

Gazetarët në Kosovë, vëren Raporti, përballen me presione indirekte për rryshfete, në këmbim të mbulimit pozitiv të ngjarjeve, si dhe ka patur raste kur kanë qenë viktima të dhunës dhe kërcënimeve. Ashtu sikurse në Shqipëri, raporti vëren se edhe në Kosovë, mungesa e fondeve i ka detyruar mjetet e shtypit të jenë nën presionin e qeverisë dhe të bien pre e interesave ekonomike. Raporti vëren se në Kosovë, ato media që janë mbështetur tek ndihma e huaj kanë qenë më të pavarura. //lk

XS
SM
MD
LG