Lidhje

Dy lobistë për një imazh më të mirë të shqiptarëve në botë


Dy lobistë të njohur që punojnë për shqiptaro-amerikanët thonë se duhet punuar më shumë për të ndryshuar disa perceptime të gabuara që njerëzit kanë për shqiptarët. Ish kongresmeni Joseph Dioguardi dhe Shirley Cloyes Dioguardi komentuan për Zërin e Amerikës mbi dy çështje për të cilat komuniteti shqiptaro-amerikan ka shprehur shqetësime.

Joseph Dioguardi dhe Shirley Cloyes Dioguardi kanë vite që punojnë për çështjet më të rëndësishme që preokupojnë shqiptarët në Ballkan. Ata mendojnë se një imazh pozitiv për shqiptarët si popull do të ndihmonte mjaft për të shpejtuar zgjidhjen e problemeve të tyre jetike.

Ish anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongbresin amerikan, Joseph DioGuardi, thotë se ka marrë shumë telefona nga njerëz të shqetësuar për akuzat e ngritura në Shtetet e Bashkuara kundër 4 shqiptarëve në Nju Xhersi, të cilët dyshohen se komplotonin për akte terroriste. Ai nuk beson se kjo ngjarje mund të ketë pasoja serioze për imazhin e shqiptarëve.

“Kuptohet që ky është një rast i izoluar. Ata nuk përfaqësojnë shqiptarët sepse shqiptarët e duan popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara e dinë se sa proamerikanë janë shqiptarët. Dhe nëse flasim për trupat amerikane, që ata akuzohen se kërkonin të sulmonin, duhet thënë se sot ka dhjetra trupa shqiptare që luftojnë krah për krah ushtarëve amerikanë në Irak dhe nuk ka dyshim se të gjithë shqiptarët në Amerikë mbështesin ushtarët amerikanë që luftojnë jashtë vendit”.

Zoti Dioguardi thotë se megjithatë, përpjekjet për ta përmirësuar imazhin e shqiptarëve nuk duhet të mungojnë:

“Më 19 maj, dita e forcave të armatosura amerikane, organizata jonë do të vihet në krye të një parade që do të organizohet në Qarkun Weschester të Nju Jorkut dhe ku do të marrin pjesë njerëz nga komuniteti italian, irlandez dhe hispanik. Ne do të mbajmë portretin e Nënë Terezës si dhe flamurë shqiptarë dhe amerikanë. Atje do të jenë njerëz nga media dhe personalitete të rëndësishme. Pra, pak nga pak ne do të na duhet të përpiqemi për të ndryshuar çdo imazh të gabuar që njerëzit mund të kenë për shqiptarët”.

Të hënën, 14 shqiptarë, 3 prej të cilëve shtetas amerikanë, do të dalin para gjyqit në Podgoricë të akuzuar se kanë komplotuar për të destabilizuar shtetin malazes. Zonja Shirley Cloyes DioGuardi thotë se akuzat kundër tyre nuk janë bindëse dhe nuk bazohen në fakte. Ajo shqetësohet gjithashtu se të akuzuarve mund të mos u bëhet një gjyq i drejtë.

“Na kanë thënë se gjykata duhet të japë miratimin për çdo pjestar të medias që kërkon të hyjë në sallën e gjyqit. Dhe ne nuk e dimë se përfaqësuesit e cilave media do të lejohen. Gjithashtu, në sallë do të lejohen vetëm 70 persona, ku përfshihen të pandehurit, avokatët dhe nga dy pjestarë të secilës familje”.

Zonja Dioguardi, e cila për këtë çështje ka qenë në kontakt me avokatët e të pandehurve dhe me anëtarë të Kongresit amerikan, thotë gjithashtu se çështja nuk lidhet thjesht me 14 persona por mund të ketë ndërlikime më të mëdha:

“Pasojat do të ishin të jashtëzakonshme sepse nëse ne e humbasim këtë çështje dhe personat përfundojnë në burg për vite me radhë, kjo do të krijonte një imazh krejtësisht jo të vërtetë për shqiptarët, sikur shqiptarët nga Amerika e deri në Kosovë e Mal të Zi mbështesin dhunën”.

Ky gjyq, thonë lobistët nga Nju Jorku, nuk ka të bëjë thjesht me 14 vetë por me faktin nëse do të ketë më në fund paqe, qendrueshmëri dhe demokraci në Evropën juglindore.

XS
SM
MD
LG