Lidhje

Fillon hetimi për një varr masiv në kufi të Serbisë me Kosovën


Ekspertët mjeko-ligjorë kanë filluar hetimin për një varr masiv ku mendohet se gjenden trupat e rreth 500 viktimave shqiptare të konfliktit të Kosovës. Zyrtarët serbë thanë se kishin filluar gërmimet në një gurore të vjetër në zonën e Rashkës pranë kufirit të Serbisë me Kosovën. Prokurorët thonë se trupat ishin dërguar atje me kamionë dhe ishin hedhur në gurore pak para se Kombet e Bashkuara të merrnin nën administrim Kosovën në qershor 1999. Hetimi fillon në një kohë kur kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Carla del Ponte përsëriti kërkesën që Serbia të dorëzojë të akuzuarit kryesorë për krime lufte.

Zëdhënësi për prokurorinë serbe të krimeve të luftës tha se hapja e varrit u bë pasi dëshmitarët thanë se kishin parë katër kamionë që kishin sjellë kufoma gjatë një aksioni serb kundër shqiptarëve në vitin 1999. Gjykatësi serb Milan Diplariç tha:

“Ne donim të shihnim nëse ishte e vërtetë që në këtë vend ishin varrosur një numër i papërcaktuar njerëzish. Thuhet se trupat ishin sjellë nga Kosova. Ende nuk e dimë nëse vërtet janë varrosur njerëz. Sot do të kontrollojmë zonën që ta zbulojmë nëse është e vërtetë”.

Ky do të ishte varri i tretë masiv me viktima të luftës së Millosheviçit kundër shqiptarëve të Kosovës.

Gërmimet bëhen ndërsa kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Carla Del Ponte vazhdon vizitën në Beograd ku u bëri përsëri presion zyrtarëve serbë që të shtonin përpjekjet për kapjen e pesë të akuzuarve kryesorë për krime lufte, mes së cilëve ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës Gjeneral Ratko Mladic.

Bashkimi Evropian pezulloi vitin e kaluar bisedimet për integrimin e Serbisë pasi Beogradi shkeli dy afate për ekstradimin e Mlladiçit në Hagë.//iç//

XS
SM
MD
LG