Lidhje

Presidenti Bush takohet me Veton Surroin në Pragë


Anëtari i Grupit Negociator të Kosovës dhe Kryetar i Partisë “Ora” Veton Surroi, është takuar dje në Pragë me presidentin amerikan Xhorxh Bush, gjatë kohës që gjendej atje për të marrë pjesë në konferencën për demokratizim dhe siguri, të organizuar nga Ministria e Jashtme çeke.

Partia e zotit Surroi tha, se në takim është biseduar për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Zoti Surroi ka thënë se me presidentin Bush ka biseduar për rezolutën dhe statusin e Kosovës dhe se presidenti Bush ka shprehur qëndrimin e prerë amerikan për vazhdimin e procedurës, me hapa të shpejtuar, për miratimin e rezolutës së re për Kosovën, në Këshillin e Sigurimit.

Zoti Surroi ka shprehur falënderimin e të gjithë kosovarëve për udhëheqjen amerikane.

Shpreha bindjen se pozicioni që po mban Serbia në lidhje me Kosovën, dhe me përkrahje te Rusisë, po bëhet me qëllim të krijimit të një konflikti të ngrirë, qoftë duke kërcënuar me veto, qoftë me përpjekjen për të krijuar një pjesë të ndarë në veriun e Kosovës, që do të operojë si konfliktet e ngrira në Kaukaz”,- ka theksuar zoti Surroi.

Zëdhënësi i partisë së zotit Surroi, Ylli Hoxha, i tha mbrëmë Zërit të Amerikës, se zoti Surroi ka marrë nga takimi mesazhin e qartë nga presidenti amerikan se Amerika ka qëndrim të prerë për nxjerrjen e rezolutës së re dhe se presidenti Bush është i përkushtuar që ky process të ecë me hapa të shpejtuar. Zëdhënësi tha gjithashtu, se zoti Surroi ka nënvizuar nevojën që Shtetet e Bashkuara të ruajnë lidershipin në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Takimi, sipas këtij burimi, është mbajtur në mjediset e Ministrisë së Jashtme çeke dhe sipas zëdhënësit të partisë Ora, ka zgjatur aq sa për të shkëmbyer pikëpamjet për çështjet kyçe për statusin dhe procesin dhe për atë se çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim. Takimi, sipas zëdhënësit, është përgatitur përmes kontakteve me këshilltarë të afërt të Presidentit Bush.//lk

XS
SM
MD
LG