Lidhje

Afganistan: Të paktën 35 të vrarë në një sulm me bombë


Të paktën 35 persona u vranë sot në Kabul nga një sulm me bombë në një autobus të policisë afgane. Ekstremistët talebanë morën përgjegjësinë për shpërthimin.

Zyrtarët afganë thonë se autobusi i akademisë së policisë transportonte instruktorë policie kur shpërtheu pranë një stacioni policie në një zonë të qytetit. Shumica e viktimave ishin policë afganë. Zyrtarë të policisë dhe spitalit thonë se të paktën 30 të tjerë u plagosën nga shpërthimi.

Sulmi ishte një nga më vdekjeprurësit në Kabul që kur u përmbysën talebanët në vitin 2001.

Po sot, zyrtarët e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara thonë se një bombë në anë të rrugës shkaktoi vrasjen e tre anëtarëve të koalicionit dhe përkthyesit të tyre afgan në provincën jugore të Kandaharit. Nuk është bërë i ditur identiteti i ushtarëve. //kk//

XS
SM
MD
LG