Lidhje

Moska paralajmëron NATO-n që të mos cënojë sigurinë e Rusisë


Rusia paralajmëroi NATO-n që të mos ndjekë politika në dëm të Moskës, por thotë se mund të bashkëpunojë me aleancën perëndimore në fusha me interes të përbashkët siç është terrorizmi dhe trafiku i narkotikëve.

Pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jap de Hup Skefer sot, Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia dhe NATO-ja bashkëpunojnë në shumë nivele, por vështirësitë janë të natyrshme.

Nga ana e tij, zoti Skefer tha se NATO-ja dhe Rusia nuk mund të bëjnë pa njera tjetrën.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i tha Sekretarit të Përgjithsëm të NATO-s i Jap de Hup Skefer se Rusia ka dalë nga periusha e konfrontimeve dhe ka hyrë në një periudhë bashkëpunimi me NATO-n.

Bisedimet u zhvilluan mes seancave të takimit të Këshillit Rusi-NATO, qëllimi i të cilët është zgjidhja e mosmarrëveshjeve lidhur me çështjen e Kosovës dhe vendosjen e sistemit të mbrojtjes nga raketat në Poloni dhe në Republikën Çeke.

Po sot, edhe Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov komentoi rreth marrëdhënieve Rusi-NATO. Ai tha se Moska dhe aleanca perëndimore duhet të garantojnë sigurinë e njera tjetrës.

Rusia dhe NATO-ja vazhdojnë të mbajnë qendrime të kundërta lidhur me çështjen e Kosovës dhe vendosjen së sistemit të mbrojtjes nga raketat në Poloni dhe në Republikën Çeke.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Rusia dhe aleanca perëndimore përballen me objektiva të vështira mbi çështje si mbrojtja nga raketat dhe traktati për forcat konvencionale në Evropë.

“Ne do të diskutojmë çështje të mbrojtjes nga raketat, traktatin për forcat konvencionale dhe çështjen e Kosovës. Ne e vlerësojmë formatin e Këshillit Rusi-NATO, që na lejon të diskutojmë hapur këto çështje dhe ta kuptojmë më mirë njeri tjetrin, megjithë mosmarrëveshjet të ende kemi,” tha zoti Lavrov pas takimit të Këshillit Rusi-NATO.

Rusia ka pasur mosmarrëveshje me Perëndimin lidhur me një traktat të kohës së Bashkimit Sovjetik mbi dislokimin e forcave konvencionale si dhe lidhur me planet amerikane për dislokimin e sitemeve mbrojtëse nga raketat në Poloni dhe në Republikën Çeke.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Skefer, tha se takimi i ambasadorëve të NATO-s do t’i bëjë të mundur Moskës dhe aleancës që të përpiqen të gjejnë mënyra për të shtuar sukseset dhe për të zgjidhur çështje, rreth të cilave ato nuk janë ende dakord, duke cituar si shembull Kosovën.

“Mendoj se ne do të diskutojmë mbi një numër çështjesh me interesim të përbashkët si Afganistani apo shumë çështje të tjera. Jam dakord me ministrin Sergei Lavrov që të vazhdojmë të diskutojmë mbi çështje që kemi ende mosmarrëveshje, Kosova, sistemi i mbrojtjes nga raketat ose traktati për forcat konvencionale në Evropë.”

Zoti Jap de Hup Skefer tha se ratifikimi muajin e kaluar nga parlamenti rus i një traktati me NATO-n lidhur me forcat, që dërgohen në vende të tjera, do të mbështeste bashkëpunimin në stabilizimin e Afganistanit. Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Rusi, të cilën ai e filloi dje, zhvillohet para vizitës së presidentit rus në Shtetet e Bashkuara, ku do të zhvillojë edhe një takim me presidentin Bush, i cili ka të ngjarë të përqëndrohet në sistemin e mbrojtjes nga raketat dhe në çështjen e Kosovës.

Të dyja këto çështje janë mes atyre që Rusia ka pasur mosmarrëveshje me Perëndimin.

Lidhur me Kosovën, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mbështesin Planin Ahtisari, që do t’i jepte Kosovës pavarësi të mbikqyrur, ndërkohë që Rusia thotë se do të kundërshtojë çdo lloj marrëveshje, që nuk pranohet nga aleatja e saj tradicionale, Serbia. //ze//

XS
SM
MD
LG