Lidhje

Takimi Bush-Putin mund të shërbejë për rivlerësimin e marrëdhënieve


Presidenti Bush po pushon në vilën e pushimit të familjes së tij në shtetin e Meinit në prag të vizitës së homologut të tij rus Vladimir Putin.

Zoti Putin pritet të mbërrijë nesër për diskutime për mbrojtjen me raketa, të ardhmen e Kosovës, ambicjet bërthamore të Iranit dhe çështje të tjera.

I ati i zotit Bush, ish-presidenti Bush nuk do të marrë pjesë në bisedimet zyrtare. Por ai pritet që të shkojë së bashku me të birin dhe zotin Putin, kur ata të dalin me anije në ujrat e Oqeanit Atlantik pranë vilës së familjes Bush në Kenebankport.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë të forta, por dy udhëheqësit kanë mosmarrëveshje për shumë çështje. Këshilltarët e Presidentit Bush e kanë quajtur vizitën një shans për të dhe zotin Putin për të gjetur pika të përbashkëta në një atmosferë më pak zyrtare. Për vizitën që mbaron të hënën, janë marrë masa të rrepta sigurie.

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk pret shumë nga takimi i Presidentit Bush me presidentin rus Vladimir Putin. Dy figura të njohura të politikës së jashtme amerikane thonë se presidenti Bush duhet të përfitojë nga takimi për të rivlerësuar lidhjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Ish-këshilltari për sigurinë kombëtare Zbigniew Brzezinski thotë se Presidenti Bush nuk mund të mbështetet vetëm tek lidhja personale me zotin Putin për të arritur përparim lidhur me mosmarrëveshjet që ndajnë dy vendet.

“Sipas mendimit tim, marrëdhëniet personale duhet të pasojnë përparimin në marrëdhëniet strategjike, por nuk duhet të krijojnë iluzione të pavërteta”.

Bisedimet në Kenebankport pritet të përqendrohen tek përparimi demokratik në Rusi, e ardhmja e Kosovës dhe bashkëpunimi bërthamor.

Çështja më delikate është ajo për planet amerikane mbi një sistem të ri të mbrojtjes nga raketat. Presidenti Bush do që ta instalojë atë në Evopë. Zoti Putin është kundër, por ka propozuar Azerbaixhanin si alternativë.

Në një seancë të kohëve të fundit në Senat për marrëdhëniet amerikano-ruse, Brzezinski tha se shumë nga polemikat e ashpra të Rusisë e kanë bazën tek shqetësimi për zbehjen e ndikimit global, që me rënien e perandorisë sovjetike.

“Unë nuk mendoj se jemi para një kthimi të Luftës së Ftohtë. Nuk duhet ta ekzagjerojmë gjendjen aktuale të marrëdhënieve amerikano-ruse. Por jemi në një fazë paqeje të ftohtë, që është e lidhur me tranzicionin e brendshëm dhe të vështirë historik të Rusisë”.

Zoti Brzezinski thotë se zoti Putin përfaqëson atë që ai e quan përpjekjen e fundit të elitës sovjetike dhe se në planet afatgjata duhet të ketë një përmirësim të qëndrueshëm në lidhjet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë.

Një tjetër ish-këshilltar për sigurinë kombëtare, Brent Scowcroft është dakord me këtë mendim.

Zoti Scowcroft, e këshillon zotin Bush të përqendrohet në çështje që i bashkojnë Washingtonin dhe Moskën, si mospërhapja e armëve.

“T’u predikosh atyre që të bëhen si ne, para së gjithash nuk do të ketë sukses dhe së dyti nuk do të ishte e dobishme. Në fakt do të ishte kundërproduktive”.

Kjo është hera e parë që Presidenti Bush fton një udhëheqës të huaj në vilën e familjes së tij në Maine. Scowcroft dhe të tjerë thonë se takimi mund të jetë shansi i fundit për përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, ndërkohë që Presidentët Bush dhe Putin janë në detyrë.

“Kenebankporti është më shumë per atmosferë. Dhe nëse ndryshon atmosfera, ajo mund të ketë ndikim tek politika. Por do të jetë një rrugë e gjatë dhe mendoj se nga ana jonë, që jemi fituesit, do të duhet shumë durim, mirëkuptim dhe vendosmëri”.

Shtëpia e Bardhë thotë se para se gjithash, takimi në Kenebankport do të jetë një shans për dy udhëheqësit që të flasin hapur me njëri-tjetrin. //kk//

XS
SM
MD
LG