Lidhje

SHBA: Sot zhvillohet takimi Bush-Putin


Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Shtetet e Bashkuara për bisedime me presidentin Xhorxh Bush, me synimin për të zbutur tensionet midis dy vendeve. Takimi po zhvillohet në një vend të pazakontë – në shtëpinë veriore të familjes Bush në Kenibankport të shtetit Mejn.

Ata po takohen në një vend pothuajse të izoluar në bregun shkëmbor të shtetit Mejn. Të gjitha biseidmet do të zhvillohen në shtëpinë me pamje nga oqeani që është pronë e ish presidentit Xhorxh H. W. Bush. Shtëpia ka qenë pronë e familjes Bush për rreth një shekull. Dhe ndërsa ish presidenti Bush ka pritur disa udhëheqës botërorë gjatë mandatit të tij, presidenti Putin është i pari që ftohet aty nga presidenti i tanishëm.

Vizita do të zgjasë më pak se 24 orë. Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Toni Snou u pyet nga gazetarët për domethënien e zhvillimit të takimit në Mejn. "Mendoj se vizita është një provë e rëndësisë së marrëdhënieve dhe është e rëndësisë së krijimit të një atmosferë të ngrohtë dhe relaksuese për të diskutuar haptazi çështje të rëndësishme", tha zëdhënësi.

Zoti Snou theksoi se nuk ka një rend zyrtar të bisedimeve dhe ai minimizoi mundësinë e njoftimeve të papritura. "Do të paralajmëroja kundër pritshmërisë së arritjeve të reja. Kjo është në fakt një mundësi për të dy udhëheqësit të bisedojnë ndershmërisht dhe haptazi me njëri-tjetrin dhe janë ata që do të kenë në dorë rendin e ditës".

Hera e fundit kur të dy udhëheqësit u takuan ishte në fillim të qershorit në takimin e nivelit të lartë të grupit të tetëshes në Gjermani. Planet e Presidentit Bush për sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë dominuan bisedimet e atjeshme. Sistemi i raketave ka të ngjarë të jetë tema kryesore përsëri në Kenibankport së bashku me kundërshtimin rus të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Presidenti Bush pritet gjithashtu të diskutojë për Iranin. Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vendosë sanksione më të rrepta ndaj Teheranit – lëvizje që Moska e ka kundërshtuar në të kaluarën. Para mbërritjes së zotit Putin, qindra protestues u mblodhën në Kenibankport dhe marshuan përgjatë bregut që të çon në shtëpinë e familjes Bush. Shumica e demonstruesve po protestonin kundër politikës amerikane në Irak. Por disa hodhën parrulla kundër veprimeve të Rusisë në Çeçeni.//rd//

XS
SM
MD
LG