Lidhje

SHBA do të çbllokojë 6 milionë dollarë ndihma për Serbinë


Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rice, tha se do të çbllokojë 6 milionë dollarë ndihma amerikane për Serbinë, pas përkushtimit të Beogradit për të bashkëpunuar plotësisht me Gjykatën e Hagës për Krime Lufte.

Një zëdhënës i Depertamentit amerikan të Shtetit tha në një deklaratë dje, se qeveria e re e Serbisë ndërmori hapa, që çuan në arrestimin kohët e fundit të të dyshuarve për krime lufte, ish-gjeneralit Vlastimir Gjorgjeviç dhe ish-gjeneralit boshnjak Zdravko Tolimir. Beogradi, po ashtu i dorëzoi Gjykatës së Hagës disa dokumente, që kjo e fundit i kishte kërkuar më parë.

Zëdhënësi tha se vendimi i zonjës Rice për çbllokimin e fondeve për Serbinë nuk do të thotë se ky vend i ka plotësuar të gjitha detyrimet ndaj Gjykatës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara presin që të gjithë udhëheqësit rajonalë të ndihmojnë në arrestimin e të dyshuarve të tjerë, që nuk dihet se ku janë, sidomos të ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe shefit të tij ushtarak, Ratko Mladiç.

Të dy ata kërkohen nën akuzat për gjenocid dhe mendohet se qëndrojnë të fshehur në një vend ballkanik. //kk//

XS
SM
MD
LG