Lidhje

Presidenti Moisiu, në fund të mandatit bën thirrje për bashkëpunim


Shqipëria e gjen veten përsëri në një moment tjetër zgjedhjesh, që në vitet e fundit janë shoqëruar përherë me probleme, pa arritur ende të plotësojnë standardet ndërkombëtare. Zgjedhja e Presidentit, ndonëse jo me votë popullore, ka nxjerrë sërish në pah, mungesën e bashkëpunimit dhe besimit reciprok mes palëve. Në këto ditë të fundit të mandatit të parë, Presidenti Alfred Moisiu i hedh një vështrim politikës shqiptare dhe të metave të saj.

Ai është presidenti i parë, që erdhi në pushtet si rezultat i konsensusit politik që me përjashtime të ralla, vazhdon t’i mungojë Shqipërisë. Por sot 5 vjet më pas, Presidenti Moisiu duket se e ka të vështirë të gjejë vlerësime pozitive për përparimin demokratik.

“Më bëri përshtypje një thënie e ish-Presidentit Masarik, të Çekosllovakisë, që ka qenë president mes dy luftrave botërore, kur tha se ‘ne jemi një vend demokratik, por nuk jemi demokratë’, është vërtet pak e rëndë, por mesa duket, megjithëse kjo i përket një periudhe shumë të hershme në raport me periudhën e tanishme, por është një realitet. Unë nuk po them që nuk kemi demokratë, por kemi pak demokratë me kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Vetë presidenti Moisiu erdhi në pushtet pa përvojën e duhur në politikë.

“Shpesh herë në intervista kam përdorur një shprehje që, ka shkollë për shumë profesione, por për president nuk ka as shkollë, as kurs. Është përvoja, kuptimi, ndjenja e përgjegjësisë, që të mëson, të detyron dhe të udhëzon si të veprosh në raste të caktuara”.

Përvoja 5 vjeçare e ka përplasur atë me të dyja krahët e politikës: në vitet e para me socialistët dhe në vitet e fundit me demokratët, që nuk e pranuan kandidaturën e tij për një mandat të dytë.

“Është e vërtetë që edhe me maxhorancën e majtë, me të cilën punova rreth tre vjet, po ashtu edhe me maxhorancën e djathtë me të cilët po mbushen dy vjet bashkëjetese si president, unë kam pasur probleme”.

“Tek ne, fatkeqësisht, akoma është e gjallë reminishenca e së kaluarës, ndjenja e së kaluarës, një vlerësim i politikës, kur është në pushtet, duke u nisur gjithmonë nga tendenca e partisë shtet”.

Në qendër të problemeve ka qenë kthimi i ligjeve. Mbi tavolinën e tij të punës, është përherë e pranishme një kopje e kushtetutës, së cilës ai i referohet vazhdimisht.

“Gjithmonë në vendimet e mija unë jam udhëhequr në radhë të parë dhe mbi të gjitha nga kushtetuta. Ajo të udhëzon dhe të tregon sesi duhet vepruar në një rast apo tjetër”.

“Kushtetuta, si çdo kushtetutë e vendeve demokratike ka ndarje pushtetesh. Ky është një element shumë i rëndësishëm për çdo vend demokratik, aq më tepër për ne. Teorikisht këtë e pranojnë të gjithë, por kur vjen puna në praktikë, kërkohet që të ketë zotërim mbi këto pushtete. Që në fillim unë jam përpjekur në maksimum që të mbrohet kjo ndarje pushtetesh. Dhe kjo fillon që nga ligjet. Në qoftë se në ligj depërtojnë tendenca për të mbizotëruar, kontrolluar pushtetet e tjera, atëherë kjo duhet ndaluar, duhet korrigjuar”.

Këto ndërhyrje, siç ishte mosfirmosja e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, kthimi i ligjit për procedurat tatimore, apo mospranimi i vendimit të parlamentit për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e vunë presidentin në qendër të kritikave të ashpra, kritika që shpesh kapërcenin kufijtë normalë të luftës politike.

“Këtu kemi mangësi të mëdha. Kemi shumë mangësi. Kjo në radhë të parë vjen nga kultura e klasës politike, edukata, etika. Asnjeri nuk përdor fjalë të tilla ndaj institucioneve. Të them të drejtën, unë jam treguar i duaruar, pasi e quaj edhe si detyrë timen, që duke qenë i duruar të jap mësim. Nuk pretendoj që ia kam arritur qëllimitm por shpresoj që diçka të kem bërë”.

Dhe ndëra Shqipëria sot pret anëtarësim dhe integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian, për të kurorëzuar reformat shpesh të dhimbshme të 17 vjetëve të fundit, vendi, thotë Presidenti Moisiu, duhet të shkëputet më parë nga tranzicioni i gjatë.

“Unë do të dëshiroja që klasa politike të mendojë sa më parë të mbyllë fazën e tranzicionit. Domethënë ne të hyjmë në jetë normale politike. Dhe jetë normale politike unë konsideroj këtë gjë, që çdo gjë të bëhet në bazë të ligjeve dhe ligjet të mos bëhen vetëm për interesat a maxhorancës në fuqi, por të jenë të tilla që të kenë jetëgjatësi. Dhe për këtë qëllim duhet të kemi parasysh ligjet e Bashkimit Evropian”.

Në kushtet e klimës konfliktuale politike, në ditët e tij të fundit në detyrë, presidenti Moisiu i bën thirrje klasës politike të bashkëpunojë në të mirë të zhvillimit të vendit.

“Ajo që është e rëndësishme tek ne është që pozita me opozitën duhet të kenë pika takimi. Se në fund të fundit janë interesat e vendit. Sot është në fuqi njëra palë, nesër vjen tjetra. Këto gjëra kanë kosto në vazhdimësi”.

Presidenti Moisiu do të hyjë në histori si presidenti i parë që erdhi në pushtet me konsensur, si një president pa përkatësi partiake dhe si i pari që bëri një ndërrim normal pushteti me presidentin paraardhës. //kk//

XS
SM
MD
LG