Lidhje

Majër: SHBA po jep shenja tërheqjeje nga procesi i statusit të Kosovës


Me shtyrjen 120 ditëshe, Uashingtoni po jep shenja se dëshiron të tërhiqet sa më shumë nga procesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe të angazhojë më shumë vendet evropiane. Kështu shprehet Profesori i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes, Stivën Majër, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Majër, Ekipi i Unitetit i Kosovës u takua në fillim të kësaj jave me Sekretaren amerikane të shtetit Kondolisa Rajs. Duke u nisur nga komentet si të palës amerikane ashtu edhe atë shqiptare, si do ta vlerësonin ju vizitën e delegacionit kosovar në Uashington?

Stivën Majër: Mendoj se Ekipi i Unitetit i Kosovës, ashtu edhe zyrtarë serbë, që pritet të takohen në Uashington me zyrtarë të lartë të administratës, po përpiqen të sigurojnë angazhimin e qeverisë amerikane, një qeveri që gjithnjë e më shumë po e humbet interesimin në këtë çështje. Administrata amerikane kishte shpresuar që kjo çështje të ishte zgjidhur deri tani. Kjo administratë e shikon këtë si një çështje të administratës Klinton. Zyrtarët amerikanë mendojnë se kanë çështje më të mëdha për të zgjidhur. Për sa i përket Kosovës, ne po shikojmë një dobësim të çështjes shqiptare në Uashington. Aktualisht Uashingtoni është i predispozuar të dëgjojë, sepse strategjia e fundit dështoi. Zyrtarët amerikanë po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara, duke kënaqur të dyja palët, në se një gjë e tillë është e mundur. Mendoj se Shtetet e Bashkuara do të mbështeten më shumë tek vendet evropiane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Uashingtoni do të jetë pjesë e këtij procesi, në Grupin e Kontaktit, por ka të ngjarë që të shohim një angazhim më të madh nga Bashkimi Evropian dhe për këtë tanimë ka shenja. Pra me pak fjalë kemi të bëjmë me një gjendje, ku Uashingtoni përpiqet të tërhiqet sa më shumë nga ky proces, ta shikojë procesin më me paanësi dhe të angazhojë më shumë vendet evropiane.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se amerikanët po përpiqen të sigurojnë një angazhim më të madh të udhëheqësve evropianë. Në të njëjtën kohë, evropianët duan sikur ta bindin Beogradin se e ardhnja e vendit është në Evropë, diçka që është thënë edhe nga amerikanët. A kemi këtu të bëjmë me një zë të përbashkët të të dy palëve apo diçka tjetër?

Stivën Majer: Deklarata të tilla janë bërë edhe më parë për gati 10 vjet. Në fakt ne po shikojmë një ndryshim të strategjisë. Strategjia Ahtisari nuk funksionoi. Nga ana tjetër, Serbia nuk u tërhoq nga qëndrimi i saj. Aspekti më i rëndësishëm është mbështetja që i dha Rusia. Tani Perëndimi po përpiqet të gjejë një strategji të re dhe nuk dihet se ç’drejtim do të marë ky proces. Mbetet për t’u parë se ç’rol do të luajë Grupi i Kontaktit dhe udhëheqja e Bashkimit Evropian. Unë e vë në dyshim suksesin e argumentave, që mund t’i bëhen Serbisë, në përpjekje për të zbutur qëndrimin e saj lidhur me Kosovën. Serbia ende përballet me vështirësi, që pengojnë antarësinë e saj në Bashkimin Evropian, si gjendja e ekonomisë dhe çështja e kriminelëve të luftës. Mendoj se edhe sikur Serbia të bindet se është fare afër marrëdhënieve konkrete dhe anëtarësisë në Bashkimin Evropian, ajo nuk do të ndryshoj qëndrim lidhur me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni ju periudhën 120 ditëshe, e cila në fakt nuk ka filluar ende. Ekipi i Unitetit duket se është larguar nga takimet në Uashington me përshtypjen se në fund të kësaj shtyrje do të merret vendimi për statusin e Kosovës. Ç’mund të pritet pas 120 ditësh?

Stivën Majer: Periudha 120 ditëshe nuk ka filluar sepse fuqitë perëndimore, pas dështimit të Planit Ahtisari, nuk janë të sigurtë rreth drejtimit të procesit. Ata nuk duan të humbasin kohë nga këto 120 ditë, ndërsa përpiqen të përcaktojnë kursin e së ardhmes. Mendoj se do të jetë shumë e domosdoshme që si Prishtina ashtu edhe Beogradi, të jenë lojtarë aktivë për të përcaktuar strukturën e bisedimeve, ndryshe nga procesi që çoi në Planin Ahtisari. Ndryshe nga bisedimet e deritanishme, që për mendimin tim nuk ishin negociata, por një diktim që iu imponua palëve, tani Prishtinës dhe Beogradit duhet t’u jepet mundësia të ulen e të diskutojnë çështje të rëndësishme për ta dhe asgjë të mos përjashtohet nga bisedimet. Sidoqoftë, nuk do të habitesha sikur vendimi për statusin përfundimtar të Kosovës të mos merej në fund të shtyrjes 120 ditëshe. Kjo varet nga evropianët, veçanërisht në se ata e kuptojnë se mos zgjidhja e kësaj çështjeje sjell pasiguri, mund të pasohet me akte dhune e me refugjatë. Mendoj se evropianët do të vazhdojnë negociatat matanë 120 ditëshit dhe kjo do të krijojë probleme, veçanërisht në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Javën e kaluar, çështja e Kosovës u zhvendos jashtë Këshillit të Sigurimit për t’iu kaluar Grupit të Kontaktit, madje tani flitet për një treshe, SHBA-BE, Rusi, që do të kryesonin këto bisedime. A kemi të bëjmë këtu me ndonjë ndryshim?

Stivën Majer: Duke u parë thjeshtë nga aspekti ligjor, përgjigja është JO. Problemi me të cilin përballet Bashkimi Evropian dhe perëndimi është se ata nuk mund të mos përfillin Rusinë, madje ata kanë nevojë për Rusinë. Ekzistojnë një sërë çështjesh, përveç Kosovës, të rëndësishme për fuqitë perëndimore, për të cilat ata kanë nevojë për Rusinë, si për shembull sistemi i mbrojtjes nga raketat, Irani. Rusia po rigjallërohet, ekonomia e saj po lulëzon, dhe rusët po bëhen përsëri gjithnjë e më të rëndësishëm dhe kjo është pikërisht ajo që kanë dashur rusët. Si rezultat, pjesa më e madhe e bisedimeve mbi Kosovës do të zhvillohen jashtë Grupit të Kontaktit; Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të takohen shpesh dhe do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre dhe pastaj të punojnë me Moskën. Duke u nisur nga komente të ndryshme që kam dëgjuar, në fund të fundit çështja e Kosovës do të kthehet përsëri tek Këshilli i Sigurimit, ku Rusia ka të drejtë vetoje. Dhe për të siguruar miratimin e Rusisë për këtë çështje, Perëndimit do t’i duhet të paguajë një çmim të lartë. //kk//

XS
SM
MD
LG