Lidhje

Ndikimi i ndryshimit të klimës në mjedisin e Alaskës


Banorët e Alaskës kanë parë shumë ndryshime gjatë shekullit të fundit. Shumë prej tyre janë konvertuar nga misionarët e krishterë. Barkat e tyre, dikur të punuara me dorë, sot janë zëvendësuar nga motoskafët. Ndërsa jetesa e tyre në kushte të vështira sot mbështetet nga asistenca qeveritare. Megjithë këto ndikime të jashtëme, banorët e Alaskës kanë qenë në gjendje ta ruajnë mënyrën tradicionale të jetesës. Por edhe kjo duket se do të ndryshojë sepse mjedisi në këtë territor verior po kërcënohet nga ndryshimet e klimës.

Mike Williams e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në lumin Kushokwim në rajonin perëndimor të Alaskës nënarktike. Ai thotë se rritja e temperaturave dekadën e fundit po e shkrin shtresën normalisht të ngrirë të tokës në këtë zonë duke shkaktuar erozion në rritje. Qyteteve të tillë si Bethel u është dashur të përforcojnë vazhdimisht muret që i mbrojnë nga deti.

"Miliona dollarë janë shpenzuar për mbrojtjen nga erozioni në Bethel,” thotë Williams.

Banorët në fshatra si Nipaciak dhe të tjerë janë detyruar të zhvendosen plotësisht.

"Këtu ka qenë një fshat por për shkak të erozionit ai nuk ekziston më dhe njerëzit janë zhvendosur në thellësi."

Williams është një nga udhëheqësit e Këshillit Ndërfisnor të Alaskës, i cili përfaqëson 229 fise që jetojnë këtu. Ai i takon fisit eskimez Jupik, një fis i lashtë autokton që ka mbijetuar në periferi të tundrës për mijra vjet. Shumica e tyre ende jetojnë me gjueti dhe peshkim. Ata gjuajnë gjatë verës për të patur ushqim në muajt e ftohtë të dimrit. Gjatë viteve, kryepleqtë kanë parë shumë ndryshime në mënyrën e tyre tradicionale të jetesës – si mjetet e motorizuara që i ndihmojnë të lëvizin apo ndihmën që u jep qeveria për të përballuar vështirësitë. Por ata thonë se ndryshimet e klimës po e ndryshojnë vetë mjedisin. 78-vjeçari James Willie thotë se tani as dëbora nuk është si më parë.

"Të ftohtit ishte ndryshe. Edhe dëbora, e cila sot është si puplat, sa ngrohet pak ajo shkrin menjëherë."

Williams thotë se Katie Kernak është gjyshja e gruas së tij. Ajo thotë se vitet e fundit, ndryshimi më i madh që ka sjellë klima e ngrohtë dhe e thatë janë zjarret e pyjeve.

"Kur ajo ishte e re kurrë nuk dëgjonte të flitej për zjarre në pyje. Kurse tani në verë shikon tymra dhe zjarre kudo."

Williams thotë se ato që sot duken si ndryshime të vogla po sjellin ndikime të mëdha. Zjarret po kërcënojnë ekosistemet e brishta. Hollimi i shtresës së akullit po e bën më të rrezikshëm kalimin e lumenjve. Ndryshimet e klimës po ndikojnë edhe mbi faunën, duke ndryshuar rrugët e shtegtimit të zogjve dhe shprehitë e të ushqyerit.

"Ndikimi është shumë i madh. Ndryshimet e vogla të klimës sjellin ndryshime të shumta në jetesën tonë."

Williams thotë se nëse nuk merren masa në shkallë botërore, kësaj mënyrë jetese në Alaskë mund t’i vijë fundi.

Jo të gjithë shkencëtarët janë dakord se ndryshimet e klimës për të cilat folëm më sipër kanë lidhje me ngrohjen globale, apo se rritja e temperaturave do të ketë pasoja katastrofike. Disa prej tyre e venë në diskutim ritmin e rritjes së temperaturave apo të nivelit të detrave dhe thonë se studiuesit nuk duhet të bëjnë parashikime të parakohshme dhe alarmiste. //iç

XS
SM
MD
LG