Lidhje

Një organizatë në Nju Jork ndryshon jetën e fëmijëve


Në vitin 1996, Elissa Montanti, ish infermiere, takoi një diplomat boshnjak në një program për grumbullim fondesh. Ajo e pyeti ç’mund të bënte për të ndihmuar Bosnjen. Ai i tregoi asaj letrën e një djali, Kenan Malkiç, i cili kishte shkelur një minë toke lurr ishte 10 vjeç dhe kishte humbur të dyja krahët dhe një këmbë. Në letrën e tij ai kërkonte dikë këdo që mund ta ndihmonte.

“Qava për dy javë pa pushim. Pastaj e kuptova se lotët nuk të ndihmojnë”, thotë ai.

“Lexova letrën dhe ndjeva sikur bota ndaloi për mua. Nuk di si ta shpjegoj por e ndjeva se duhet ta ndihmojë këtë djalë”, thotë zonja Montanti.

“Gati dy javë më vonë mora një telefonatë ku më thanë se kishin gjetur një njeri që mund të më sillte në Amerikë për të më ndihmuar për proteza. Dhe pas kësaj më telefonoi Elissa”, thotë Malkiç.

Elissa Montanti filloi të telefononte mjekë dhe spitale në kërkim të një shërbimi falas për Kenanin. Ajo e solli atë që të jetonte bashkë me të në Nju Jork për të mundësuar vënien e protezës në Spitalin e fëmijve Shriners, në Filadelfia. Ky ishte vetëm fillim për të dy.

“E ndihmova Kenanin dhe ai u kthye më pas në Bosnje. Por e dija se doja të bëja më shumë për të. Ishte shumë e natyrshme dhe kisha dëshirë të ndihmoja. Më bënte të ndjehesha mirë”, thotë Montanti.

Ajo e quajti organizatën e saj Fondi Global për Ndihmë Mjekësore dhe filloi të sjellë fëmijë të tjerë në Shtetet e Bashkuara për ndihmë --- fëmijë nga Afrika, Azia, Lindja e Mesme, Amerika Latine dhe Evropa – disa të lindur me difekte, të tjerë të plagosur në luftëra ose në aksidente.

Ermina dhe Jasmine, dy vizitorët e fundit janë boshnjake. Jasmine ka humbur një këmbë në një aksident kur ishte pesë vjeç. Ermina ka lindur me krahun e majtë të pazhvilluar. Ashtu si fëmijët e tjerë të ndihmuar nga ky fondacion, ata dhe nënat e tyre qëndrojnë në dhomat e dhuruara nga shoqata e banesave Mount Manresa në Staten Island të Nju Jorkut. Ata duhet të kthehen çdo vit ose dy për të rregulluar protezën në Spitalin Shriners ku shërbimet për ta jepen falas.

Montanti i rregullon të gjitha me ndihmën e Kenan Malkiçit dhe disa vullnetarëve të tjerë. Por ajo thotë se çmimi i biletave të avionëve, ushqimit dhe vizave e bëjnë çdo gjë një betejë konstante për të mbajtur fondacionin.

“T’ju them të drejtën jam pak e trembur pasi kam kaq shumë fëmijë. Shpesh i lutem Zotit për ndihmë për këta fëmijë. Brenda dy muajve të ardhshëm pres tetë fëmijë që duhet të kthehen, ndërkohë që tetë të tjerë pritet të vijnë për herë të parë. Pa fonde shtesë nuk do të kem mundësi të përballojë shpenzimet”, thotë themeluesja e organizatës.

Fondi i Montantit mbështetet në pjesën më të madhe nga grante të vogla. Ajo thotë se shumica e organizatave që japin grante të mëdha nuk janë të interesuar në fondacione si ky.

“Ata kërkojnë të jesh organizatë e madhe. Në se je e tillë, ke punonjës me pagesë dhe vetë ke pagë të lartë, atëherë mund të të japin grant. Është shumë e padrejtë, pasi edhe si organizatë e vogël ne bëjmë shumë”.

“Aksidenti më ndryshoi shumë jetën por ndryshimi më i madh më ka ndodhur falë Elizës, thotë Kenan.

Kenan Malkiç jeton me zonjën Montanti dhe bashkëshortin e saj dhe është student në kolegj. Ai thotë se ajo është si nëna e tij e dytë dhe dëshiron të qëndrojë në Amerikë për ta ndihmuar atë në misionin e saj.

“Duke jetuar me të e shoh se sa kujdeset ajo për të tjerët dhe gjërat e mrekullueshme që bën dhe e kuptoj se ndihmën që kam marrë duhet t’ua kalojë të tjerëve për t’i bërë të kuptojnë se PO vërtet, mund të të ndodhin fatkeqësi, por nuk është fundi i botës”, thotë Malkiç.

Deri tani, Fondi Global për Ndihmë Mjekësore ka ndihmuar fëmijë nga Iraku, Pakistani, Nepali, Indonezia, Nigeri, Sierra Leone, Liberia, Bosnja, Meksika, Salvadori dhe 15 nga zona e Nju Jorkut. //kk//

XS
SM
MD
LG