Lidhje

Amerikanët përpiqen të përmirësojnë shprehitë e tyre të gjuhës


Shkrimtari Davide Burke thotë se në botën e sotme globale, amerikanët duhet të përmirësojnë shprehitë e gjuhës dhe madje duhet ta nisin këtë në moshë të vogël. Burke u ka mësuar të huajve shprehjet e zhargonit amerikan ndërsa tani po përdor përrallat për t’iu mësuar gjuhë të huaja fëmijëve amerikanë.

David Burke është i njohur si njeriu i zhargoneve, dhe në librat e tij të parë, ai përkthente gjuhën e adoleshentëve amerikanë për një brez më të rritur, dhe zbërthente idiomat amerikane për të huajt që duan të mësojnë anglishten.

Përpjekjet e tij të fundit kanë në fokus fëmijët amerikanë të cilët dinë shumë pak rreth gjuhëve të huaja. Ai ka shkruar një sërë librash bazuar në përrallat që janë mjaft të njohura në kultura të ndryshme. “Më lindi një ide. Po sikur të zgjedh një përrallë, psh ”Hirushen”? Të fillojmë në gjuhën bazë të lexuesit, pra le të themi në anglisht, për tregun amerikan. Pra ne fillojmë në anglisht dhe teksa lexuesi përparon me leximin, historia vazhdon të tregohet në gjuhën tjetër”.

Burke ka përmbledhur libra me përralla të shoqëruara me CD në gjuhët kineze, franceze, italiane, gjermane, hebreje, japoneze dhe spanjolle.

Një version i veçantë për shembull në gjuhën spanjolle ndihmon të rinjtë amerikano-latinë të mësojnë anglish.

Lexuesit e rinj mësojnë rreth 20 fjalë në çdo nivel, e pastaj kalojnë në një tjetër nivel duke lexuar një përrallë të ndryshme nga ajo e nivelit të parë. “Për shembull, unë kam marrë përrallën e “Flokëartës” dhe përdor në të të gjitha fjalët që fëmijët kanë mësuar tek përralla ”Hirushja”, por i shtoj edhe 20 fjalë të reja. Niveli tre është ”E bukura dhe bisha”, ku unë përdor të gjitha fjalët e nivelit 1, nivelit 2 dhe shtoj dhe 20 fjalë të tjera. E kështu në fund të përmbledhjes, që është niveli 9, përdoret krejtësisht gjuha që fëmija do të mësojë”.

Burk tha se studentët shpesh mendojnë për të mësuarit e një gjuhe si diçka e mërzitshme, por nuk është kështu. Duke punuar me një ilustrues të përrallave, ai i shoqëron librat me ilustrime shumë ngjyrshe të figurave të përrallave, që zgjojnë imagjinatën e lexuesve të vegjël. “Në përrallën “Flokëarta” , flokëarta lodhet dhe gogësin se po e zë gjumi. Dhe në libër kjo paraqitet me një ilustrim përkatës. Pra ne e kuptojmë që ajo është lodhur. Ajo është cansada (që do të thotë e lodhur në gjuhën spanjolle), fatiguee (në frëngjisht) dhe stanca në italisht”.

Ai thotë se shumë europianë janë të njohur për aftësinë për gjuhët e huaja, dhe shumë njerëz në rajone të ndryshme të botës flasin të paktën dy gjuhë. Amerikanët kanë një reputacion të ndryshëm. “Ekziston një shaka në botën e linguistikës, është e rëndë pak, por e lezetshme. Si e quajmë një njeri që flet tre gjuhë të huaja? Trigjuhësh. Po një njeri që flet dy gjuhë të huaja? Dygjuhësh. Po atë që di vetëm një gjuhë? Amerikan”

Por jo gjithë amerikanët flasin vetëm një gjuhë. Shumë imigrantë sollën në vend gjuhën dhe kulturën e tyre nga të gjitha anët e botës. Megjithatë, thotë Burke, shumë amerikanë dinë mirë vetëm gjuhën angleze, dhe ai po punon që ta ndryshojë këtë realitet.//ii

XS
SM
MD
LG