Lidhje

Sekretari Gejts i del në mbrojtje strategjisë së luftës


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, thotë se trupat amerikane mundet të qëndrojnë në Irak për një kohë të gjatë, megjithëse numri i tyre do të pakësohet dhe misioni i tyre do të ndryshojë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës njofton, se zoti Gejts i doli në mbrojtje strategjisë së luftës së Presidentit Bush gjatë një interviste të transmetuar në televizionin amerikan:

Presidenti Bush ka folur për një prani afatgjatë të forcave ushtarake amerikane në Irak. Kritikët e luftës thonë se kjo do të thotë një konflikt, i cili do të vazhdojë për më tepër se një dekadë dhe kur forcat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak, ndoshta në nivelin e 100 mijë trupave, gjatë gjithë kësaj periudhe.

Por Sekretari i Mbrojtjes Gejts nuk është dakord me këtë konstatim. Ai thotë se me pakësimin e një numri të vogël trupash, gjë që e përmendi Presidenti Bush të enjten e kaluar, administrata amerikane do t’i bëjë një vlerësim të mëtejshëm gjendjes atje. Ai thotë, se në se do të vazhdojë të ketë përparim, misioni i forcave amerikane do të ndryshojë.

"Duke marrë me mend se kushtet në Irak do të jenë të tilla, që të lejojnë pakësimin e trupave amerikane atje, siç u shpreh edhe Presidenti, ideja është që ne të kemi një rol shumë më të kufizuar në Irak për një periudhë kohe, atë të një force stabilizuese," - tha zoti Gates.

Gjatë një interviste që dha në programin “This Week” të rrjetit televiziv ABC, Sekretari Gejts tha se ai parasheh që në të ardhmen do të ketë një prani relativisht të vogël ushtarake amerikane në Irak.

Ai tha se kjo forcë do të përqëndrohej tek siguria në kufi, përpjekjet e anti-terrorizmit dhe stërvitja dhe pajisja e ushtrisë irakiane.

"Nuk e di akoma sot, se sa mund të jetë numri i trupave amerikane që do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak. Para së gjithasht, kjo çështje do të duhet të negociohet me irakianët, në se ata do të jenë të përgatitur për ta pranuar një prani të tillë të forcave tona. Por besoj se numri i këtyre forcave, do të jetë vetëm një pjesë e vogël e ushtarëve që ne kemi aktualisht në Irak," - tha zoti Gejts.

Presidenti Bush bëri të njohur të enjten, se e ka pranuar një plan të propozuar nga komandanti i forcave amerikane në Irak, gjenerali David Petreas, për tërheqjen e rreth 6 mijë trupave amerikane nga Iraku, deri në fund të vitit, me një pakësim të mëtejshëm gjatë 6 muajve të parë të 2008.

Por kryetari demokrat i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Josef Bajden, ligjvënës i Delauerit, tha dje në një intervistë për televizionin "Fox News", se plani i tërheqjes nuk është i mjaftueshëm.

"Mendoj se kryesore është tërheqja e trupave amerikane nga pozicionet e gabuara ku janë çuar, në mesin e luftës civile që po zhvillohet aktualisht në Irak." - tha ai.

Senatori Bajden, i cili po përpiqet të sigurojë mbështetjen e partisë së tij për kandidat presidencial i demokratëve, tha se ai është dakord me mendimin e Shtëpisë së Bardhë, se tërheqja e menjëherhsme e të gjitha forcave amerikane nga Iraku, do të ishte diçka shkatërrimtare.

Por ai shtoi se trupat amerikane mund të jenë të efektshme, edhe duke qenë shumë më të pakta në numër, në se ato dislokohen në kufijtë e Irakut.

"Nuk kam sugjerim, që do t’i afrohej sadopak idesë së braktisjes së misionit në Iraq. Por mendoj se nevojitet një ndryshim themelor i taktikës së ndjekeur deri tani atje," - tha Senatori Biden.

Një anketim i fundit, tregon se shumica e amerikanëve nuk e mbështesin strategjinë e Presidentit për Irakun, por ata nuk kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të trupave amerikane prej andej.

Një anketim i televizionit "FOX NEWS", tregon se vetëm 22 për qind e amerikanëve janë për tërheqjen e menjëhershme të trupave amerikane nga Iraku, dhe 42 për qind e tyre preferojnë tërheqjen graduale gjatë një periudhe një-vjeçare, kurse 24 për qind kërkojnë që trupat të qëndrojnë në Irak, deri sa ushtria irakiane të jetë plotësisht e aftë të marrë përsipër detyrat e sigurisë së vendit.

Ndërkohë, sipas një vëzhgimi të agjencisë Associated Press, 65 për qind e amerikanëve nuk janë dakord me mënyrën e trajtimit të luftës nga Presidenti.//lk

XS
SM
MD
LG